Maratona e Tiranës, Veliaj: 17 Tetori ditë pa makina, hera e parë që organizojmë një maratonë të plotë

Federata Ndërkombëtare e Atletikës ka certifikuar për herë të parë Tiranën si organizatore profesioniste të maratonës së 17 Tetorit, duke e licencuar edhe për itinerarin e plotë të garës prej 42 kilometrash. Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili tha këtë vit pritet të garojnë mijëra sportistë dhe qytetarë të apasionuar pas garave sportive, vendas dhe të huaj. Duke u bërë thirrje të gjithëve për t’iu bashkuar ngjarjes më të madhe sportive të vitit, Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë, për shkak se dita e dielë e 17 Tetorit do të jetë edhe një ditë pa makina në kryeqytet.

“Pas dy viteve shkëputjeje për shkak të pandemisë, këtë vit kemi edicionin më special të maratonës, sepse është hera e parë që jemi licencuar për një maratonë të plotë, prej 42 kilometrash. Sigurisht, do të garohet edhe për 21 km, 10 km, për kategorinë “We Too” apo “Fun Run” për fëmijët. Maratona e plotë kërkon edhe kohëzgjatje në organizimin e saj, ndaj na duhet mirëkuptim nga qytetarët. Policia do të bëjë punën e saj, do të vazhdojmë komunikimin në media, por atë ditë na duhet shumë durim sepse nuk duam të rrezikojmë që të mos certifikohemi si organizatorë profesionistë,” u shpreh Veliaj, nisur nga fakti se në një pjesë të madhe të akseve kryesore rrugore do të ndalohet qarkullimi i automjeteve, në varësi të itinerarit të maratonës.

Kreu i Bashkisë e quajti ditë feste 17 Tetorin, madje tha se po organizohen edhe koncerte e aktivitete të tjera. “Ne kemi planifikuar jo vetëm pjesën sportive, e cila është pjesa më e rëndësishme, pasi jemi certifikuar si zhvillues të denjë të një gare sportive, njësoj si kryeqytete të tjera të botës, por kemi edhe pjesën festive. Në 7 pika në qytet po organizojmë evente me muzikë dhe minikoncerte, pasi duam që qyteti ta përjetojë si një festë të madhe,” tha ai.

Kryebashkiaku nënvizoi faktin se kjo ditë do të shërbejë edhe për vetë ekonominë lokale, pasi janë regjistruar deri tani mbi 1000 atletë, që do vijnë nga jashtë Tiranës, apo të huaj, ndërsa e ka konsideruar edhe një sprovë për evente të përmasave të tilla. “Tirana po përgatitet për një fluks shumë të madh aktivitetesh vitin tjetër, duke qenë se do të mbajë titullin e Kryeqytetit Europian të Rinisë, dhe Maratonën e shohim si një provë gjenerale, sa i takon aftësisë tonë për të organizuar evente të kësaj natyre, por edhe për ta trajtuar si një festë të komunitetit,” tha kryetari i Bashkisë.

Veliaj zbuloi se ndryshe nga maratonat e shkuara, itinerari këtë herë nuk është vetëm Tirana urbane, por edhe parqet e qytetit, një tjetër promovim për Tiranën turistike. “Do të përshkohet edhe pjesa urbane, edhe pjesa e parqeve. Është një mënyrë që, edhe ata që e vizitojnë si vrapues të kenë mundësi të shohin Tiranën urbane, por nëpërmjet vrapit të shohin edhe Tiranën e gjelbër, Parkun e Liqenit, një zonë fantastike e dyfishuar, sidomos pas pastrimit që bëmë në mandatin tonë të parë dhe mbjelljes së pemëve. Kjo është një mundësi fantastike për ta treguar si kartolinë të Tiranës, si bashkëjeton natyra me një qytet që urbanizohet dita-ditës,” tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se mosha mesatare e personave të regjistruar për të marrë pjesë në maratonën e Tiranës është 30 vjeç, ndërsa ka publikuar dhe çmimet për fituesit. “Për kategorinë 42 km, çmimi i parë do të jetë 5000 euro. Çmimi dytë do të jetë 3000 euro. Çmimi tretë do të jetë 2000 euro, si për vajzat, ashtu edhe për djemtë,” u shpreh Veliaj, teksa siguroi se të gjithë pjesëmarrësit do të jenë të vaksinuar ose me test negativ të Covid-19.

Maratona e Tiranës 2021 do të mbahet më datë 17 tetor dhe do të ketë 4 kategori: Marathon (42.195 km); Half Marathon (21, 0975 km); Tirana 10K dhe “We too”. Nuk do të mungojë as gara Fun Run, e cila do të zhvillohet një ditë para garës së madhe me datë 16 tetor 2021 me të rinjtë e shkollave te mesme të Tiranës.