Maqedonia e Veriut regjistron 15 të vdekur dhe 1,039 të infektuar me COVID-19

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të hënën 15 viktima, 1,039 persona të infektuar dhe 998 të shëruar me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik i referohen testimit të 3,143 mostrave në 24 orët e fundit.

Sa u përket viktimave, Shkupi për herë të parë ka regjistruar vetëm një të vdekur.

Numri më i madh i viktimave është regjistruar në Prilep, gjithsej gjashtë viktima ndërsa nga një janë regjistruar në tetë qytete tjera.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 1,561.

Nga 56,164 persona të diagnostikuar me COVID-19, 33,892 janë shëruar ndërsa 20,711 raste ende janë aktive.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive në Shkup, në repartet tjera të Qendrës Universitare si dhe në spitalet e qyteteve tjera janë të hospitalizuar 1,290 persona, shumica prej të cilëve janë në oksigjenoterapi.

Spitalet private kanë bërë të ditur marrëveshjen me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin Shëndetësor për trajtimin 100 pacientëve të ri në një spital të improvizuar, që do të pajiset me mjete dhe personel mjekësor nga spitalet më të njohura private të vendit.

Në Maqedoninë e Veriut është në fuqi gjendja e krizës andaj shtabi kryesor ka vendosur angazhimin e rreth 300 pjesëtarëve të armatës dhe 150 policë shtesë për sigurimin e objekteve shëndetësore dhe qendrave për koronavirus. /REL