Mangalli me prush-Mjeti i rrezikshëm që përdorim për t’u ngrohur

Shumëkush e njeh tashmë historinë e çiftit Hajdari nga Librazhdi, ku nusja Rezarta Xibraku vdiq dhe burri i saj Olsi Hajdari qendroi për dy ditë në koma.

Kanë qenë të shumta aludimet në lidhje me historinë, është folur për helmime, vetëhelmime, helmime nga persona të tretë etj.

Sot mjekësia ligjore doli me një përfundim. Rezarta humbi jetën si pasojë e monoksidit të karbonit që lëshonte mangalli me prush.

Duke qenë se tregimi i vjetër i gjysheve,  në lidhje me mangallin me prush, tashmë ka mbetur pak në hije, po marrim shkas nga kjo histori për ta rikthyer në vëmendje, në mënyrë që të mos kemi më ngjarje të tilla.

Nëse marrim një mangall dhe e vendosim në ambient të mbyllur, ashtu siç bëri çifti pas njëfarë kohe, ajri në dhomë bëhet i rëndë, kjo për shkak se përqendrimi i monoksidit të karbonit është më i lartë se përqendrimi i oksigjenit. Vetia tjetër që ka ky gaz është dhe stimulimi i një gjumi të thellë, që fare mirë mund të konsiderohet si gjumi i vdekjes. Ndaj dhe është shumë e vështirë, që të dalësh gjallë, duke qenë se në përgjumje e sipër nuk ke mundësi që të reagosh.

Ajo që ndodhi me çiftin në Librazhd nuk është ngjarje e izoluar. Më 14 Shkurt të vitit 2009, një familje në Vlorë rrezikoi të shuhej, për shkak të çlirimit të monoksidit të karbonit nga mangalli me prush. Më 27 Dhjetor të vitit 2016, një 23-vjeçar nga Kosova humbi jetën i asfiksuar nga monoksidi i karbonit. Më 10 shkurt, të vitit 2012 një 57-vjeçar nga Vlora, humbi jetën po ashtu i asfiksuar nga gazi që çlironte mangalli, të cilin ai e përdorte për t’u ngrohur. Ndërsa në datën 13 Janar të vitit 2017, një çift nga Patosi, përfundoi në koma, si pasojë e helmimit me monoksid karboni.

Siç mund ta shihni rastet janë të shumta dhe këto humbje kanë të gjitha një emërues të përbashkët, mangalli me prush në një ambient të mbyllur. Për të qëndruar të sigurt, kurrë mos vendosni mangall me prush në një ambient të mbyllur, aq më pak nëse mendoni të flini gjumë. Është e rrezikshme dhe mund t’ju rrezikojë jetën!/apel.media