“Maksimumi i karrierës sime”/ Pjaniç prezantohet tek Barcelona: E kisha ëndërr të luaja me jashtëtokësorin Messi

Miralem Pjanic, 30 vjeç, u prezantua këtë pasdite si lojtar i ri i Barçës. Mesfushori boshnjak ka lidhur kontratë me katalanasit për katër sezone dhe ka klauzolë prej 400 milionë eurosh. Ish-lojtari i Juventusit, i cili është bashkuar më vonë me grupin për shkak të koronavirusit, ka pranuar lumturinë e tij për të luajtur më në fund në “Camp Nou”. Barcelona kishte provuar nënshkrimin e tij në raste të mëparshme, por pa sukses. Operacioni me Juventusin është mbyllur për 60 milionë euro, plus 5 milionë të tjera bonuse. Ai do të mbajë fanellën me numrin 8.

Pas ceremonisë së nënshkrimit me Josep Maria Bartomeu, ai u shoqërua në prezantim nga Ramón Planes, sekretari teknik i Barcelonës. Kreu i zonës sportive e ka vlerësuar dhe justifikuar punësimin e tij kështu: “Pjanic ka shumë cilësi. Barça e ndjek atë prej një kohe të gjatë. Kemi marrë një futbollist me cilësi të mëdha fizike dhe mendore. Është mjaft i shkathët dhe mund të kontribuojë shumë. I uroj fat të mirë. Jam i sigurt që do të na jepni shumë gëzim”. Pjanic ka falënderuar klubin dhe menaxherët e Barcelonës: “Ndihem krenar që jam këtu. Shpresoj të arrij shumë gjëra pozitive”.

Pjanic firma su contrato y lucirá el número 8

Stili i Barçës – “Të luash këtu është nder i madh. Ishte një ëndërr, të luaja këtu. Të jesh këtu është diçka e jashtëzakonshme. Jam shumë i lumtur që kam ardhur. Jam në ekipin më të madh në botë dhe kjo përbën krenari të madhe. Ndërsa hyra në dhomën e zhveshjes, pashë historinë, me trofetë e saj. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për mua. Barcelona ka lojtarë të shkëlqyeshëm. Shpresoj të ndihmoj me përvojën time. Barça ka qenë një pikë referimi për mua dhe për futbollin. Dua t’u jap kënaqësi njerëzve me lojën time”.

Juventusi – “Është një ekip i shkëlqyeshëm, atje më kanë ndihmuar shumë. Por, pas disa vitesh, më duheshin sfida të tjera. Të luaja me Barçën ka qenë gjithmonë ëndrra ime. Vullneti im ishte ta jetoja këtë ëndërr dhe ta pranoja këtë sfidë. Sezonin e kaluar vuajtëm për shkak të kovidit. Sidoqoftë, nuk duhet të mendoj më për të kaluarën. Duhet të shikoj drejt së ardhmes. Barça do të vazhdojë të jetë e shkëlqyeshme. Ne duhet ta ndërtojmë të ardhmen së bashku. Ndarja e dhomës së zhveshjes me Messin dhe pjesën tjetër të lojtarëve këtu është një ëndërr. Unë jam shumë i motivuar”.

Humbja me Bayernin – “Unë e pashë ndeshjen, janë gjëra që ndodhin kohë pas kohe në futboll. Në karrierën time kam pasur edhe përplasje si ajo. Gjithçka ishte kundër Barçës. Covid-19 nuk duhet të jetë një justifikim. Lojtarët duhet të japin më të mirën e tyre, por koronavirusi na ka bërë që të garojmë në një mënyrë tjetër. Ishte një humbje shumë e rëndë. Ne e dimë që gjërat nuk do të jenë të lehta. Futbolli është i tillë. Duhet të jemi të fortë dhe të krijojmë një grup të shëndetshëm, së bashku me trajnerin. Të luajmë përsëri një futboll të mirë”.

Goli ndaj Real Madridit – “Unë e mbaj mend atë gol, ishte shumë i mirë. Ishte një gol i rëndësishëm ndaj një ekipi shumë të forte. Ne i eliminuam ata, ishte një kënaqësi e madhe. Unë isha shumë i ri atëherë, luaja me Lyon. Tani do t’i kem përsëri përballë, në La Liga. Kam shumë respekt për atë ekip, si dhe për Atlético Madrid, pa përjashtuar pjesën tjetër të klubeve këtu”.

Leo Messi – “Për mua, nga jashtë, nuk e shoh askund tjetër përveç se këtu. Ai është një lojtar i madh. Gjithmonë ka zhgënjim pas një humbjeje, por kjo është shtëpia e tij. Do të kishte qenë e vështirë për mua ta shihja me një fanellë tjetër. E shoh atë të lumtur. Ai është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Është shumë e rëndësishme që ai të jetë me ne”.

Mosha – “Do të doja të vija vite më parë, por futbolli i ka këto gjëra. Jam profesionist dhe kam luajtur në ekipe të shkëlqyera. Karriera ime ka qenë e rëndësishme dhe i respektoj ekipet ku kam qenë. Tashmë jam shumë i lumtur këtu”.

Koeman – “Po, kam folur me të dy ose tri herë. Ai është një trajner, i cili ka treguar shumë gjëra në vitet e fundit. Tani shpresoj të bashkohem me grupin, pastaj të shohim si dëshiron të luajë. Sezoni është i gjatë. Unë kam luajtur në të tria pozicionet e mesfushës. Përshtatem”.

Koronavirusi – “Nuk më pëlqeu që dola pozitiv. Nuk e prisja, por nuk mund ta dini se ku jeni infektuar. Sidoqoftë, u ndjeva mirë. Kam qëndruar në Torino, duke punuar në shtëpi dhe duke pasur kontakte telefonike. Do të doja të isha këtu, por duhej të respektoja karantinën. Po punoj mirë këto ditë. Jam në gjendje të mirë fizikisht. Duke filluar nga nesër, do të bashkohem me grupin. Le të shohim nëse do të luaj pak të shtunën. Ndihem shumë mirë, çdo ditë e më mirë”.

Messi – “Unë kam luajtur me Totti, Cristiano Ronaldo… Është e rëndësishme për mua t’i kem këta futbollistë afër. Ata janë lojtarë shumë të rëndësishëm, për mua janë shembull. Do të jetë unike të ndaj një dhomë zhveshjeje me një jashtëtokësor si Messi. Gjithsesi, i gjithë grupi është i rëndësishëm”.

Luis Suarez – “Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por mund të them se është një lojtar i shkëlqyeshëm. Nuk e di të ardhmen e tij”.

Mesfusha – “Më duhet kohë për t’u përshtatur. Më duhet kohë për t’u njohur me shokët e mi të skuadrës dhe mënyrën e lojës. Shpresoj që ky proces të jetë sa më i shpejtë të jetë e mundur. Dua t’i takoj në fushë dhe të më njohin mua, lojën time. Dua ta bëj skuadrën time të luajë mirë. Duke parë Xavi dhe Busquets, ishte një ëndërr; cilësia e tyre, organizimi i tyre”.

Objektivat – “Unë mendoj se të luash këtu është një sfidë, është maksimumi i një karriere. Për mua, gjëja më e rëndësishme është t’i bëj të lumtur tifozët. Barcelona është më shumë se një klub. Na duhet të luajmë mirë dhe të fitojmë tituj. Ne mund t’i arrijmë të gjithë objektivat, kemi përvojë, lojtarë të mrekullueshëm të rinj”