Makina inteligjente, 28 të arrestuar dhe 4112 gjoba për drejtuesit e mjeteve

Gjatë kësaj jave 2334 drejtues mjetesh janë evidentuar në shkelje nga makina inteligjente, të cilëve masa administrative do t’u shkojë në banesë.

Sipas policisë në të gjithë vendin janë ndëshkuar 4112 drejtues mjetesh për shkelje të ndryshe.

Gjithashtu janë pezulluar 206 leje drejtimi, nga të cilat 113 për shpejtësi mbi normat e lejuara, shumica e rasteve të konstatuara nga makina inteligjente, 55 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 38 për qarkullim në sens të kundërt.

Më tej bëhet me dije se janë arrestuar 28 drejtues mjetesh, nga të cilët 20 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Njoftimi i plotë/ Policia e Shtetit-Informacion:

Masa të shtuara në fundjavë dhe për festat e nëntorit, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet intensive duke përdorur makinën inteligjente, radarë, dronë, mjete të pauniformuara, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues, për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Makina inteligjente vijon të monitorojë qarkullimin rrugor jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë territorin e vendit, duke evidentuar dhe ndëshkuar shumë drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, të cilët krahas shpejtësisë, qarkullojnë edhe pa vendosur rripin e sigurimit apo duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Gjatë kësaj jave janë evidentuar në shkelje, nga makina inteligjente, 2334 drejtues mjetesh, të cilëve do t’u shkojë masa administrative në banesë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve permanente janë evidentuar dhe ndëshkuar 4121 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Janë pezulluar 206 leje drejtimi, nga të cilat 113 për shpejtësi mbi normat e lejuara, shumica e rasteve të konstatuara nga makina inteligjente, 55 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 38 për qarkullim në sens të kundërt.

Janë arrestuar 28 drejtues mjetesh, nga të cilët 20 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Në kuadër të festave të nëntorit, Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë, duke rritur prezencën e shërbimeve policore, për të monitoruar qarkullimin e automjeteve dhe për të garantuar rendin e sigurinë në të gjitha sheshet dhe ambientet ku do të ketë ceremoni festive.

Policia e Shtetit, nisur dhe nga fakti se në fundjavë akset rrugore në drejtim të zonave turistike dhe bregdetare kanë fluks të shtuar dhe se në rrugë ka prezencë të lagështirës për shkak të motit me shi, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.