Lutfi Dervishi/ 5 Pyetjet e tmerrshme! Për të rinjtë në gazetari dhe ato që kanë përvojë më shumë se ç’duhet!

Nga Lutfi Dervishi Në fakt 5 pyetjet janë të lidhura me teknikën bazë të lajmit. Përgjigja e 5 pyetjeve (5 w) Kush? Çfarë? Pse? Si? Ku? – prodhon një lajm me interes për konsumatorët! Por sot ka...
Lutfi Dervishi/ 5 Pyetjet e tmerrshme! Për të rinjtë në gazetari dhe ato që kanë përvojë më shumë se ç’duhet!
Foto: Lutfi Dervishi/ 5 Pyetjet e tmerrshme! Për të rinjtë në gazetari dhe ato që kanë përvojë më shumë se ç’duhet!

Nga Lutfi Dervishi

Në fakt 5 pyetjet janë të lidhura me teknikën bazë të lajmit. Përgjigja e 5 pyetjeve (5 w) Kush? Çfarë? Pse? Si? Ku? – prodhon një lajm me interes për konsumatorët! Por sot ka më shumë vlerë të flasim për pyetjet e këqija.
Thuhet rëndom: nuk ka pyetje të këqija.

Është një maksimë që duket se nuk vlen për kohë krizash si kjo që po kalojmë.

Mund të mos ketë pyetje të këqija, por pyetje të tmerrshme po dëgjojmë çdo ditë/natë.
Disa syresh i dëgjojmë aq shpesh sa ke nevojë për një oki të fortë të mbledhësh mendjen, disa janë aq pa kuptim sa kur i sheh/dëgjon të duhen më shumë se dy duar- një për t’i rënë ballit, një për të mbajtur mjekrën që të mos bie në tokë, dy për të mbyllur sytë dhe dy të tjera për të zënë veshët. (Duhej edhe një për të mbajtur gojën, por me rregullat e reja dora nuk ka punë më para gojës dhe hundës)

Ja disa pyetje që të lenë pa mend!

  1. Si jeni?
    �Kjo është pyetja që të paktën të bën të vësh buzën në gaz. I është bërë këto ditë shumë njerëzve. Përgjigja ka qenë e njëjtë: – mirë, faleminderit. Më mirë pyete: Kohë me shi sot apo jo?
  2. Pyetja që ka tis investigativ dhe në dukje asgjësuese është: Filani ka thënë për ju….”…..” po ju si i përgjigjen kësaj?! Dhe në këtë moment duhet të marrësh një pamje që të tjerët të mendojnë: “Këtu e mbërtheu. Nuk ka nga lëviz”
  3. Çfarë mendoni për…..

Mjafton të mos harrosh këtë pyetje tejet të rëndësishme dhe mund të bësh një emision maratonë: çfarë mendon për hënën? Diellin? Transportin? Korrupsionin? Futbollin? Tiranën? Gjuhën shqipe? Ngrohjen globale? Krizën energjitike? Të ardhmen/të shkuarën/ të sotmen? Internetin? Tik tokun? Instastorin? Dhe sidomos skenarin. Nëse mban mend pyetjen- çfarë mendon… e ke hedhur lumin!

  1. Ëhëë?
    Kjo është një pyetje befasuese, dhe mund të përdoret fare mirë kur ke harruar pyetjen magjike: çfarë mendoni për …..?!
  2. Ëhëëë, ëhëëë?

Kjo pyetje vlen kur nuk funksionojnë pyetjet e mësipërme dhe sidomos pyetja numër 4.

Po cilat janë pyetjet e mira? Përgjigja është e gjatë dhe askush nuk ka kohë të lexojë gjatë këto ditë, por pyetje të mira pa dyshim janë pyetjet e bazuara mbi fakte, kërkime, hetime, hulumtime. Pyetje të këqija janë pyetjet klishe, pyetjet retorike, pyetjet parazite, pyetjet ku intervistuesi shuan kuriozitetin live dhe mëson po live bashkë me dëgjuesit/shikuesit. Aha kështu qenka kjo. Nuk e dija këtë!

Ti mund të mos dëshirosh të përgjigjesh, thoshte Pablo Neruda, por pyetjet nuk vdesin!
Bëni pyetje të pavdekshme që njerëzit të mos vdesin nga gazi!
Kaq për sonte!