Fshati Novaj i Beratit, është ndër fshatrat më të pasur me gur dekorativ, i cili për shkak të aktivitetit të nxjerrjes së këtij guri, gjithmonë e më tepër po zhvishet krejtësisht nga bimësia natyrore dhe jeta e egër, duke shkaktuar kështu një masakër të vërtetë mjedisore.
Aktiviteti për nxjerrjen e gurit dekorativ, ka bërë që në këtë fshat të ekzistojë gjithmonë konflikti, dëmtimi i biznesit dhe varfëria. Duke marrë shkas nga të gjitha këto më sipër, gjykata ka vendosur që të bllokohen të gjitha minierat në malin e Tomorrit.
Por, mesa duket qytetarët nuk mund të rrinë në qetësi. Mbyllja e aktivitetit i ka zhytur në varfëri, duke qenë se nxjerrja e këij guri dekorativ ka qenë mënyra e vetme e jetesës zgjidhja që ata kanë gjetur është puna e paligjshme dhe në fshehtësi gjatë natës.
Policia e Beratit në një operacion në malin e Tomorrit ka arrestuar shtetasin M.S., 33 vjeç, banues në Berat. Ai është kapur nga forcat e policisë në fshatin Novaj në Skrapar duke qarkulluar me mjetin me targa AA 2350 P, të ngarkuar me pllaka guri dekorativ, në kundërshtim me ligjin.
Gjithashtu ka shpallur në kërkim shtetasin me iniciale L.L., banues në Tiranë. Mësohet se policia po punon për kapjen e këtij shtetasi, ndërkohë që konfirmohet zyrtarisht se po vijohet puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që vijojnë të punojnë në mënyrë të paligjshme në Malin e Tomorrit duke shfrytëzuar zonën e Novajt për nxjerrjen e gurit dekorativ.
Prej datës 19 dhjetor 2019 të gjitha firmave të gurit në Malin e Tomorrit u janë hequr licencat dhe prej asaj dite ata quhen “të kundraligjshëm” në ushtrimin e këtij aktiviteti. Prej muajsh forca të shumta policie kanë qenë çdo ditë në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse, në malin e Tomorrit për të ndaluar punën e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ që kanë pretenduar se duhet të vijojnë punën pasi fituan gjyqin në Gjykatën Administrative.
Lufta për gurin dekorativ duket se do të vazhdojë të ekzistojë dhe të jetë një hall më shumë për banorët e këtij fshati./apel.media