Lirohet veterani i UÇK-së që u ndalua nga Policia e Shqipërisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se autoritetet e Shqipërisë, e kanë liruar ish-luftëtarin e UÇK-së, Murtez Kastrati, i cili u ndalua nga policia, pas një kërkese që Serbia kishte dërguar në INTERPOL.

Haradinaj-Stublla tha se është njoftuar nga homologu i saj shqiptar, Gent Cakaj, se veterani i UÇK-së ishte liruar para dy orësh dhe se ai ishte ndaluar për verifikim.

Sipas ministres Haradinaj-Stublla, Serbia po vazhdon me veprime ilegale ndaj Kosovës, ndërsa ka shtuar se Shqipëria do të përditësojë listat e dërguara nga Serbia, me qëllim, që sipas saj, ato të reflektojë “realitetin politik e ligjor të Kosovës”.

“Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ministrja Haradinaj-Stublla në një postim në rrjetin social Facebook.

Me të lexuar njoftimin nga z. Hysni Gucati, rreth ndalimit të ish luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murtez…

Gepostet von Meliza Haradinaj-Stublla am Sonntag, 2. August 2020

Më herët gjatë ditës, ishte kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, që njoftoi për ndalimin e Murtez Kastratit nga Policia e Shqipërisë.

Ai iu bëri thirrje bashkëluftëtarëve të tij, që të shmangin lëvizjet nëpër shtetet tjera, pasi siç tha, ai ka informacione se Serbia ka përpiluar një listë të re të emrave të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilat i ka dërguar në INTERPOL.

“Ju bëjmë apel bashkluftëtarëve që këto ditë mos të lëvizin dhe të mos dalin në shtetet tjera. Shteti i Shqipërisë duhet sa më parë ta lirojë Murtez Kastratin dhe të mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe listat e dërguar në INTERPOL nga Serbia, deri sa do të vazhdojnë kështu duke u maltretuar në këtë formë njerëzit që dhanë çdo gjë që ne sot ta kemi shtetin, veteranët ende nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë, Qeveria e Kosovës sa më parë duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe të mos kemi më raste të tilla”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Veterani i UÇK-së Murtez Kastrati nga Lipjani sot është ndaluar nga policia e Shqipërisë pasi që shteti Serb ka dërguar…

Gepostet von Hysni Gucati am Sonntag, 2. August 2020

Kosova nuk është pjesë e Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL). Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.

Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme. Njëjtë kishte vepruar edhe më 2019. /REL