Liria dhe zhvillimi i medias në Shqipëri, Kryetari i Prezencës së OSBE-së: Media, shoqëria dhe shteti duhet të angazhohen me njëri-tjetrin në frymën e konstruktivitetit

Prezenca e OSBE-së organizoi, sot, për të shtatin vit radhazi, Forumin vjetor për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile për lirinë dhe z...
Liria dhe zhvillimi i medias në Shqipëri, Kryetari i Prezencës së OSBE-së: Media, shoqëria dhe shteti duhet të angazhohen me njëri-tjetrin në frymën e konstruktivitetit
Foto: Liria dhe zhvillimi i medias në Shqipëri, Kryetari i Prezencës së OSBE-së: Media, shoqëria dhe shteti duhet të angazhohen me njëri-tjetrin në frymën e konstruktivitetit

Prezenca e OSBE-së organizoi, sot, për të shtatin vit radhazi, Forumin vjetor për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile për lirinë dhe zhvillimin e medias në Shqipëri.

“Jam i lumtur të theksoj angazhimin tonë për çështjen e lirisë së medias në Shqipëri, pasi e kemi shpallur këtë fushë pune përparësi të Prezencës sonë. Nxisim partneritetet pozitive dhe përdorimin e praktikave më të mira ndërkombëtare. Media, shoqëria dhe shteti duhet të angazhohen me njëri-tjetrin në frymën e konstruktivitetit”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco. Ai foli në hyrje të takimit, përkrah Kreut të Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Jutta Gützkow dhe Drejtorit të Zyrës së Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias,, Jürgen Heissel.

Seanca e parë e Forumit iu kushtua sfidave kryesore të lirisë dhe të zhvillimit të medias me të cilat u përball Shqipëria gjatë vitit të fundit. Në të folën kryetari i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe mjetet e Informimit Publik, Agron Gjekmarkaj, nënkryetari Petro Koçi, Radka Betcheva nga Bashkimi i Transmetuesve Evropianë (EBU), Arben Muka nga Autoriteti i Mediave Audivizive, Klodiana Kapo nga Faktoje.al dhe Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias.

Diskutimet, më pas, u përqendruan te rëndësia e gazetarisë investigative dhe verifikimi i fakteve si një mjet për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar gazetarinë profesionale. Kontribut në këtë seancë dhanë Mark Marku, përgjegjës i Departamentit të Gazetarisë dhe të Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Kristina Voko, drejtore ekzekutive e BIRN-it në Shqipëri, Blerjana Bino nga Qendra e Shkencës dhe e Inovacionit për Zhvillim dhe Gentian Mullai, zëdhënës i Policisë së Shtetit. 

Gjatë Forumit, u shpallën edhe fituesit e konkursit të OSBE-së për gazetarinë investigative në fushën e antikorrupsionit. Ata janë Anila Hoxhaj, për artikullin “Kontrata PPP e sterilizimit i kushton shtrenjtë sistemit shëndetësor”; Entela Bajramaj, për dokumentarin “Zhvatje përmes kredisë”; dhe Ferdinand Dervishi, për artikullin “Truket shtetërore që po zhvatin perlat e bregdetit”.

Po gjatë Forumit, Radio Televizioni publik Shqiptar dhe Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit i Universitetit të Tiranës nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për praktikën e studentëve në RTSH.