Leja e punës për shtetasit e huaj, miratohen procedurat dhe tarifat për pajisjen

Bizneset shqiptare që kanë punësuar të huaj mund të aplikojnë online në portalin e-Albania për marrjen e lejes të punës për këta shtetas.

Kërkesa drejtuar Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) shoqëruar me dokumentacionin përkatës mund të bëhet nga vetë shtetasi i huaj ose punëdhënësi i tyre.

Vendimi i qeverisë me kriteret, proceduarat dhe tarifat e pajisjes me leje pune i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se aplikuesi përveç kërkesës në gjuhën shqipe, duhet të dorëzojë online, dokumente (të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të njësuar me origjinalin nga noteri), si: kontrata e punës; kualifikimet profesionale; prokurën nga i huaji apo punëdhënësi, nëse aplikimi kryhet nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar, si dhe kërkesën e paraqitur në institucionet përkatëse, për t’u siguruar në skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Për herë të parë, për shtetasit e huaj, të kualifikuar si punonjës të lartë, nëse plotësojnë kriteret leja e punës jepet me një afat jo më pak se 1 vit. Të huajit i ripërtërihet leja e punës, si punonjës me kualifikim të lartë, për 2 herë radhazi me një afat 2-vjeçar e më pas me afat të përhershëm. Kjo e fundit ndodh nëse ka një kontratë pune të vlefshme, në përputhje me formimin e tij profesional, për një afat dyvjeçar, por jo domosdoshmërish me punëdhënësin, që ka përfituar lejen e parë të punës dhe është me qëndrim të ligjshëm në Shqipëri.

Tarifa për marrjen e lejes të punës për ata shtetas të huaj, që pajisen për herë të parë, do të jetë 6, 000 lekë, ndërsa për ata që u ripërtërihet leja e punës tarifa është 3,000 lekë.

Vendimi përcakton se shtetasit të huaj i refuzohet leja e punës, për rastet kur nga AKPA-së, pas paraqitjes së kërkesës verifikohet se në QKB, punëdhënësi është i regjistruar me statusin “pasiv”, dhe nuk ka shlyer detyrimet lidhur me pagat e punonjësve, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nga ana e subjektit, pranë të cilit do të punësohet i huaji.

Nëse AKPA-së vlerëson se dokumentacioni i paraqitur është i plotë e pajis të huajin, brenda 10 ditëve me leje pune. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastin e shqyrtimit të dokumentacionit për ripërtëritjen e lejes së punës.

Dokumentet që dorëzohen online

-kërkesën e të huajit me të dhënat personale (sipas formatit të publikuar më poshtë)

-kopjen origjinale të kontratës individuale të punës, ku të plotësohen kushtet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi;

-dokumente që vërtetojnë kualifikimet e larta profesionale në profesionin apo në sektorin e përcaktuar në kontratën e punës;

-kopjen e pasaportës;

-prokurën apo autorizimin nga i huaji apo punëdhënësi, nëse aplikimi kryhet nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar;

-kërkesën e paraqitur në institucionet përkatëse, për t’u siguruar në skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; e) një fotografi të aplikuesit, të bërë jo më përpara se 6 (gjashtë) muaj nga data e aplikimit, me përmasa 47 mm x 36 mm, të marra në plan me sfond të bardhë, të fokusuara dukshëm e qartë. Fotografia duhet të tregojë personin përballë, me qëndrim neutral e sytë të hapur e të dukshëm- /monitor