Lavrov akuzon Evropën se ka zgjedhur ‘rrugën e luftës’ me Rusinë

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha të martën se Evropa ka zgjedhur një “rrugë lufte” në marrëdhëniet e saj me Rusinë, dhe nëse është luftë, atëherë Moska duhet “të arrijë qëllimet e saj”.

Duke iu drejtuar ushtarakëve të bazës ushtarake 201 të Rusisë në Taxhikistan, Lavrov tha se politika e jashtme e përditësuar e vendit “pasqyron një qëndrim të tillë” të Evropës.

“Ne do të duhet të jetojmë me ata (evropianët) krah për krah gjithsesi. Por nëse është një luftë, atëherë ne duhet t’i arrijmë qëllimet tona. Dhe qëllimet tona janë shumë më fisnike në krahasim me evropianët. Ata duan të dikujt tjetër, dhe ne duam tona vet”, tha ai.

Një video e fjalimit të kryediplomatit të publikuar nga Ministria e Jashtme, në të cilën ai vuri në dukje se autoritetet ruse perceptojnë “provokimet që vijnë nga jashtë” dhe bëjnë gjithçka për të treguar “një shembull se si të luftohet kundër padrejtësisë”.

Në një ngjarje të veçantë në kryeqytetin Dushanbe, Lavrov tha në fjalimin e tij para studentëve në Universitetin Ruso-Taxhik Sllav se ka “përpjekje të qëllimshme” nga Perëndimi për të “depërtuar” në Azinë Qendrore.

Ministri paralajmëroi se programet e “ndihmës për zhvillim” të promovuara nga Perëndimi në rajon nuk janë ” gjë tjetër veçse mjete për të kontrolluar dhe riformatuar peizazhin politik dhe ekonomik të rajonit për vete.”

“Ne i nxisim miqtë tanë që të marrin në mënyrë kritike skemat e bashkëpunimit ushtarak të imponuara nga perëndimorët dhe programet e trajnimit për oficerët e zbatimit të ligjit,” tha ai.

Lavrov argumentoi se “pas vitesh gënjeshtrash dhe mashtrimesh”, Moska “nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të niste një operacion të posaçëm ushtarak që synonte eliminimin e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të vendit, mbrojtjen e rusëve dhe popullatës rusisht-folëse nga shfarosja, nga spastrimi etnik dhe gjuhësor. “

Ai pretendoi se Rusia “u detyrua t’i përgjigjej luftës” të lëshuar nga autoritetet ukrainase në 2014.

Gjatë vizitës së tij në Dushanbe, Lavrov u takua gjithashtu me Presidentin e Taxhikistanit Emomali Rakhmon dhe Ministrin e Jashtëm Sirojiddin Muhriddin dhe mori pjesë në ceremoninë e hapjes së një ekspozite të shkrimtarëve ortodoksë dhe klasikë rusë.