Lady Gaga dhe Jennifer Lopez do të performojnë në inaugurimin e Joe Biden

Lady Gaga dhe Jennifer Lopez do të performojnë në ceremoninë e inaugurimit për presidentin e ardhshëm të SHBA-së, Joe Biden dhe Zëvendës Presidentit, Kamala Harris.

Lajmin për pjesëmarrjen në eventin, e parashikuar të mbahet të mërkurrën e ardhshme, e kanë konfirmuar edhe yjet me famë botërore përmes platformave të tyre të rrjeteve sociale.

Lady  Gaga do të këndojë himnin kombëtar në ceremoninë e përurimit, më 20 janar. Lopez, e cila gjithashtu mbështeti Biden vitin e kaluar, do të japë një performancë të veçantë muzikore.

Pas ceremonisë, Tom Hanks do të drejtojë një program special televiziv.

Me titull “Celebrating America”, programi 90-minutësh në kohën kryesore do të përfshijë gjithashtu muzikantët amerikanë Jon Bon Jovi, Demi Lovato, Justin Timberlake dhe Ant Clemons dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga ABC, CBS, CNN, NBC dhe MSNBC.

Komiteti përurues i Biden tha se ai “do të festonte fillimin e një udhëtimi të ri kombëtar drejt një Amerike të bashkuar dhe të tregonte qëndresën, heroizmin dhe angazhimin e unifikuar të popullit amerikan për t’u bashkuar si një komb për të shëruar dhe rindërtuar”.

Pjesa tjetër e listës zbuloi se At Leo O’Donovan do të ofronte një thirrje, Andrea Hall do të drejtojë Betimin e Besnikërisë, Amanda Gorman do të interpretojë një lexim poetik dhe Reverend Dr. Silvester Beaman do të drejtojë një bekim.