Kush është ‘Esko’, shqiptari që u plagos nga policja greke dhe si “terrorizoi” Athinën me bandën e tij?

Detaje të reja janë zbardhur nga mediat greke nga operacioni në Universitetin Politeknik të Athinës “Zografou”, ku në pranga përveç 22 eksponentëve të krimit ra edhe 30-vjeçari shqiptar, Esmin Ferhati.

Në tentativën për t’i shpëtuar operacionit, ku forcat e ELAS kthyen përmbys konviktet në godinën studentore pas dyshimeve se aty fshiheshin elementë kriminalë të përfshirë në grabitje të dhunshme dhe shpërndarjen e drogës, Ferhati plagosi lehtë me kaçavidë një police 35-vjeçare.

Në momentin që iu vërsul, efektivja greke ishte duke hyrë në makinën e saj private dhe iu kundërpërgjigj Ferhatit duke e plagosur në këmbë me armën e zjarrit të shërbimit.

Ndërkohë, “Protothema” raporton se 30-vjeçari shqiptar, i cili njihej në Athinë me pseudonimin “Esko” jetonte prej katër vitesh në konviktet e universitetit dhe së bashku me grupin e tij shqiptar, të përbërë nga djem dhe vajza, i kishe kthyer 3 katet e kampusit të vjetër në një bazë krimi.

Banda e shqiptarëve që qarkullonte me një “Mercedes”, paguante 100 euro në muaj për çdo dhomë mirëpo nuk paguanin energji dhe ujë, ndërsa në rrjetet sociale ekspozoheshin duke treguar sesi shijonin jetën e luksit me para të fituara nga grabitjet dhe shitja e drogës.

Por, “Esko” e kishte shtrirë aktivitetin e tij kriminal edhe në një fushë tjetër. Sipas mediave ai akuzohet për rrëmbimin e një fëmije të mitur dhe djalin e një gazetari në maj të vitit 2019, të cilin e mbante të fshehur pikërisht në godinën ku u arrestua, ndërsa grupi i tij shkoi në shtëpinë e të atit të të rrëmbyerit, në Pagrati për ta grabitur.

Edhe pse në kërkim për 5 çështje penale, 30-vjeeçari nuk ishte arrestuar asnjëherë dhe s’kishte kaluar asnjë ditë në burg, ndërsa jetonte i qetë me partneren e tij dhe fëmijën e tyre të porsalindur, vëllain “Erko” dhe të paktën 10 kriminelë të tjerë shqiptarë e grekë.

Si vepronte banda?

Brenda banesave grupi i “Eskos” vepronte në dy-tre grupe të ndryshme dhe me azilin e siguruar nga zona dilnin vetëm për të grabitur banka, supermarkete dhe për të shitur drogë. Studentëve që kërkuan shpjegim për dhomat që ishin të zëna, drejtuesit e konvikteve u ishin përgjigjur duke thënë se ato nuk ishin funksionale dhe se duheshin rinovuar.

Sipas Protothema “Esko” u përfshi në paligjshmëri nga xhaxhai i tij, i dënuar me burgim të përjetshëm, sepse vrau një burrë dhe më pas u arratis nga burgjet e Nafplionit. Sa i përket rrëmbimit të kryer në 11 maj 2019, Ferhati akuzohet se e ka marrë peng djalin 17-vjeçar nga zona e “Zografou” teksa po kthehej në shtëpinë e tij në Pagrati.

Ata e kanë goditur adoleshentin dhe pasi i kanë vënë një kapuç duke e “verbuar”, e kanë hedhur në makinë dhe e kanë çuar në kampus. Aty djali u mbajt peng për shumë orë në duart e grabitësve shqiptarë, të cilët pasi morën çelësat e shtëpisë, e vizituan për ta plaçkitur.

Në momentin e sulmit ishin të pranishëm prindërit dhe vëllai i vogël i 17-vjeçarit. Babai i adoleshentit, një gazetar, në përpjekje për të mbrojtur familjen e tij është përfshirë me ta, duke u rrahur dhe plagosur lehtë nga banditët me thikë. Tetë muaj më vonë, autoritetet arritën të vënë në pranga një nga autorët, ndërsa pjesa tjetër mbeti e zhdukur, me vlerësimin e policisë se ata kishin gjetur strehim në vendlindje.

Në fund duket se “Esko” nuk ishte arratisur Shqipëri, por kishte gjetur strehë në godinën e vjetër të Universitetit Politeknik .

Aktakuza e radhës ka të bëjë me sekuestrimin e pajisjeve të Universitetit të Athinës, mbi 300 mijë euro, dy akuzat e tjera për grabitje dhe trafik droge, ndërsa e fundit për vjedhje në seri në dyqane në një qendër të madhe tregtare në periferinë veriore të kryeqytetit helen.