Kush është çifti nga Fieri që zhvati 200 mijë euro përmes mashtrimit?

Fisnik Kajolli u arrestuar nga policia e Fierit, pasi në bashkëpunim më bashkëshorten kanë mashtruar persona të ndryshëm me pretekstin se do i punësonin në kompani private. Ndërkohë që shtetasja Migen...

Fisnik Kajolli u arrestuar nga policia e Fierit, pasi në bashkëpunim më bashkëshorten kanë mashtruar persona të ndryshëm me pretekstin se do i punësonin në kompani private.

Ndërkohë që shtetasja Migena Kajolli ishte në arrest shtëpie, gjykata mori vendimin arrest me burg për të, duke i’u bashkangjitur të shoqit. Ata janë pikasur nga policia një vit më parë, pasi qytetarët kishin kuptuar mashtrimin.

Më poshtë po iu paraqesim skemën e mashtrimit, e cila është publikuar në media:

Çifti Kajolli nga Dërmënasi i Fierit kishte nisur aktivitetin e paligjshëm të mashtrimit të personave të ndryshëm për përfitimin e parave që prej vitit 2016. Mësohet se Migena Kajolli dhe bashkëshorti i saj, Fisnik Kajolli 32 vjeç, kanë mashtruar dhjetëra persona duke u premtuar atyre se do t’i punësonin në kompani të ndryshme private, kryesisht kompani që operoanin në sektorin e hidrokarbureve kundrejt shumave të parave. Mësohet se duke u premtuar punësim në kompanitë private që operojnë në sektorin e naftës, dy të arrestuarit u merrnin qytetarëve nga një mijë deri në tri mijë euro secilit.

Nga hetimet ka rezultuar se ata e vendosnin “tarifën” e punësimit kundrejt mundësive të “klientëve” të tyre për të paguar, e ndërsa në njërës të njohur tarifa ishte edhe më e ulët. Për ta bërë të besueshme skemën e tyre të mashtrimit, mësohet se Migena Kajolli, e cila dyshohet të ketë qenë ideatorja e kësaj skeme, u thoshte personave që u kishte marr paratë se në telefonin e tyre do të mbërrinte një mesazh konfirmimi nga kompania. Pasi kalonin disa ditë, në telefonat e personave që kishin paguar shumat e parave për t’u punësuar, mbërrinte mesazhi i konfirmimit se kërkesa e tyre për punësim ishte regjistruar në sekretarinë e kompanisë dhe po shqyrtohej.

Nga hetimet ka rezultuar se këto mesazhe konfirmimi i niste kryesisht gruaja. Ndërkohë, për të qenë edhe më të besueshëm tek personat që mashtronin, bashkëshortët Kajolli nënshkruanin edhe akte noteriale me ta se paratë ua kishin marrë në formë borxhi. Por, dy bashkëshortët nga Dërmënasi i Fierit nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kanë nisur të mashtrojnë edhe kundrejt shumave të mëdha. Kështu, kanë arritur të bindin dy persona, motër e vëlla, se do t’i bënin aksioner në një prej kompanive private që operojnë në sektorin e naftës dhe se kështu do të kishin përfitime të mëdha. Fillimisht ata kanë arritur të bindin motër e vëlla, F.H dhe N.H, që t’u japin 35 mijë euro dhe 8 milionë lekë të vjetra dhe më pas shumën prej 89 milionë lekëve të vjetra, me premtimin se do tu mundësonin të ishin aksioner në një kompani private nafte. Edhe me këta të dy, bashkëshortët kanë nënshkruar akte noteriale se ju detyroheshin në shumën e parave që ju kishin marr.

Dy të rinjtë akuzohen se kishin mashtruar persona të ndryshëm duke u marrë sasi parash kundrejt premtimit për punësim në kompani private që operojnë në sektorin e naftës. Mësohet se dy të ndaluarit kanë kryer mashtrime edhe gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2018, kur ata ishin në hetim për shkak të denoncimeve të kryer më parë nga persona të tjerë të mashtruar. Vetë skema e ngritur nga bashkëshortët ka qenë një nga provat kryesore që ka çuar në arrestimin e tyre. Mesazhet telefonike të dërguara prej tyre në numrat celularë të personave që mashtronin ku u siguronin se kërkesat e tyre të punësimit ishin regjistruar, bisedat e zhvilluara në ”Viber”, aktet noteriale dhe prova të tjera të siguara me anë të hetimeve speciale, kanë bërë të mundur sigurimin e provave që kanë çuar në arrestimin e Fisnik dhe Migena Kajollit. Gjatë hetimeve të kryera nga prokuroria dhe policia e Fierit është konkluduar se dy të rinjtë bënin “jetë të bukur” falë mashtrimeve që u bënin personave të ndryshëm për punësim, kundrejt shumave të parave.

Gjatë hetimit është konstatuar se bashkëshortët Kajolli thujse gjithmonë drekonin dhe darkonin në restorante dhe se shpenzonin para edhe për sende të tjera si automjete, veshje, bizhuteri etj. Sipas burimeve zyrtare të policisë, nga hetimet e deritanishme është përllgaritur se nëpërmjet mashtrimeve të tyre ata kanë përfituar gjatë dy viteve të fundit rreth 200 mijë euro.