Kush dhe si e la të vdiste Armando Diego Maradonën

 “Diego u la të vdiste”. Ai që lëshon akuzën e radhës është Stefano Ceci, menaxheri dhe miku i legjendës argjentinase, i cili u nda nga jeta ditën e mërkurë pas një infarkti fatal., shkruajnë mediat ndërkombëtare, shkruan Bota Sot. Gjatë një interviste për radion “Kiss Kiss Napoli”, Ceci tregon i prekur: “Sot drejtohet gishti në atë që mund të ishte bërë, por është një koncept që duhet shtrirë gjatë gjithë jetës së tij. Diego ka qenë gjithnjë vetëm. Kanë menduar vetëm për Maradonën. Diego ishte i lodhur, u la të vdiste. Nuk donte të jetonte më. Diego reshti së qenuri Diego kur mbushi 15 vjeç: që kur u bë Maradona, mbeti vetëm. Kam kaluar 20 vite përkrah Diegos. E kam njohur Maradonën personalisht, kampionin, mitin e vështirë për t’u menaxhuar. Diego ishte një njeri i brishtë dhe modest. Diego njeri ishte e kundërta e Diegos futbollist. Unë mund ta shijoj, kështu që do të mbaj brenda shumë e shumë kujtime. Pak njerëz kanë mundur ta shijojnë me të vërtetë Diegon”, tha Ceci.

“Gjatë muajve të fundit, Diego ishte me të vërtetë i lodhur. Shikoja që diçka nuk shkonte më si më parë. Deri dy vite më parë, në Dubai luante futboll dhe padel një herë në javë me njerëz 15-20 vite më të rinj se ai. Ishte aktiv fizikisht. Pa që po humbiste edhe dashurinë për Roçion (ish-të dashurën).

Edhe për këtë pastaj e la veten të shkonte fizikisht dhe psikologjikisht. Kaosi familjar që e rrethonte, nuk e lejoi kurrë që të kishte një paqe të plotë. Edhe i vdekur tani do të vazhdojnë që ta trazojnë. Të paktën tani Diego është me njerëzit që donte më shumë: mamanë dhe babain. Tani Diego është në paqe”.

Ditën e varrimit, avokati dhe miku i Maradonës, Matias Morla, lëshoi akuza për vonesën e ndihmës së parë dhe tha se do ta ndjekë ligjërisht këtë. “Ambulanca u vonua më shumë se gjysmë ore për të ardhur, çka ishte një idiotësi kriminale. Sa i përket raportit të Prokurorisë së San Isidros, është e pashpjegueshme që për 12 orë, miku im nuk ka pasur kujdes apo kontroll nga pjesa e personelit shëndetësor, dedikuar për këto qëllime.

Ky fakt nuk duhet të neglizhohet dhe do të kërkoj që pasojat të hetohen deri në fund. Siç më ka thënë Diego: ‘Je ushtari im, vepro pa mëshirë’”.