Kupa e Italisë/ Lukaku kualifikon Interin në minutën e 119′ drejt “Derbit të Madoninës” (Video)

Interi ka arritur të sigurojë kualifikimin në turin çerekfinal të Kupës së Italisë duke mundur Fiorentina pas 120 minutash lojë, duke qenë se 90 minuta u mbyllën 1-1 dhe u desh shtesa për të përcaktuar ekipin fitues.

Zikaltërit e nisën me rotacion dhe duke lënë disa titullarë pushim. Pjesa e parë ishte kaos nga arbitri Massa që gaboi gjithçka por dy herë e korigjoi VAR.

Penallti për Interin për ndërhyrje të portierit ndaj Sanchez dhe Vidal që realizon. Më pas, penallti për Fiorentina por e hequr me të drejtë nga VAR.

Në pjesën e dytë vjen supergoli i Kouame dhe ndeshja ngec në 1-1 deri në minutën e 119-të kur një krosim i bukur i Barella gjen Lukakun në qendër që me kokë nuk fal.

Tani, çerekfinalja ndaj Milanit, që eliminoi dje Torinon.