Kryemadhi: LSI kërkoi rritje të mbështetjes për bujqësinë, por qeveria vijoi propagandën e lugës boshe

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar në lidhje me buxhetin e 2022-it të miratuar sot në Kuvend, ndërsa ka sulmuar qeverinë Rama.

Përmes një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’ Kryemadhi tha se një nga propozimet e LSI për buxhetin e fermerëve u rrëzua me arrogancën e kartonëve.

Sipas saj, sot mazhoranca nuk ka votuar 7.1 miliardë mbështetje për fermerin dhe zhvillim rural siç kishin propaganduar, duke shtuar se LSI kërkoi rritje të mbështetjes për bujqësinë.

REAGIMI
Pasi bëri shoën e mëngjesit me ta, gënjeshtari kronik në krye të qeverisë votoi kundër fermerëve sot pasdite në parlament!
Ky ishte një nga propozimet e LSI për buxhetin, që e rrëzuan me arrogancën e kartonëve. Amendamenti ynë për zhvillimin rural, i jepte një shans Kryeministrit dhe Ministres që të mbanin fjalën, siç e kanë dhënë me zë e figurë në video. Sot mazhoranca nuk ka votuar 7.1 miliardë mbështetje për fermerin dhe zhvillim rural siç kishin propaganduar. LSI kërkoi rritje të mbështetjes për bujqësinë, por qeveria vijoi propagandën e lugës bosh. Për saktësim, ndryshe nga ç’mendon qeveria, paga e ministres nuk është mbështetje direkte për fermerët e vendit.