Kriza në koalicionin qeverisës, jep dorëheqjen kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte

Kryeministri italian Giuseppe Conte u ka komunikuar ministrave, vendimin për t’i dorëzuar dorëheqjen e tij sot në orën 12:00 presidentit Matarella. Vendimi i Conte vjen pas kritikave të shumta ndaj tij rreth mënyrës së menaxhimit të situatës pandemike.

Në një takim të mbajtur sot paradite, që zgjati 30 minuta, kreu i qeverisë u ka komunikuar ministrave dorëheqjen dhe tashmë pritet që vendimin t’ia komunikojë dhe Presidentit.

Gjatë takimit të sotëm Alfonso Bonafede, Dario Franceschini dhe Roberto Speranza, kanë shprehur sërish mbështetjen e tyre për Giuseppe Conte në Këshillin e Ministrave, pasi Kryeministri komunikoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen.

Dorëheqja e kryeministrit Giuseppe Conte zhvendos krizën qeveritare në pallatin presidencial. Protagonist tanimë së bashku me Kryeministrin, bëhet  edhe presidenti i vendit Sergio Mattarella . 

Pasi të pranojë dorëheqjen e Conte dhe pasi ka biseduar me përfaqësuesir e grupeve të ndryshme parlamentare, presidenti mund të vendosë nëse do t’i japë një mandat  të ri Conte ose një figure tjetër institucionale (p.sh. kryetari të Dhomës ose Senatit. Në rast të ri-emërimit të Conte ai gëzon mundësinë e refuzimit të kërkesës.

Në rast se Mattarella konstaton pamundësinë e krijimit të një qeverie të re, si një mundësi të fundit ai mund të shpërndajë Dhomat dhe  të çojë vendin në zgjedhjet e reja .

Pas zyrtarizimit të dorëheqjes së Conte, qeveria do të mbetet në drejtim vetëm për çështje të rëndësishme. Këto përfshijnë nxjerrjen përfundimtare të dekreteve ligjore në raste nevoje dhe urgjence. Kriza qeveritare bllokon në mënyrë efektive të gjithë veprimtarinë parlamentare, duke përjashtuar ato në lidhje me aktet urgjente.