Kriza humanitare në Afganistan/ Talibanët falenderojnë OKB për 1,2 mld dollarë ndihma

Talibanët kanë falënderuar Kombet e Bashkuara që mblodhën të hënën mbi 1 miliard dollarë ndihma humanitare për t’ia dhënë Afganistanit.

Militantët morën kontrollin e vendit më 15 gusht dhe kanë shpallur qeverinë e re, por e gjejnë veten para krizës së thellë ekonomike.

Amir Kan Mutaki, ministri i Jashtëm në detyrë i Talibanit, garantoi se do të bashkëpunojnë që ndihmat t’u shkojnë personave më në nevojë.

Ai tha se duan marrëdhënie të mira me botën dhe Amerikën që i luftoi ata për vite me radhë.

“Besojmë se Amerika është vend i madh dhe duhet të tregojë edhe zemrën e madhe. Afganistani është i varfër dhe nuk duhet trajtuar mizorisht. Ne e pamë për 20 vite se politika e presionit nuk dha rezultate dhe nuk ka për të dhënë as në të ardhmen.”

Asnjë vend nuk e ka njohur deri tani qeverinë e re të Talibanit, çka e rrezikon ekonominë afgane të varur nga ndihmat e huaja 20 vitet e fundit.

OKB-ja thotë se 1,2 miliard dollarët që donatorët janë zotuar t’ua japin talibanëve do të përdoren si levë për ta shtyrë administratën e re që të përmirësojë sundimin e ligjit dhe respektin për të drejtat e njeriut.

Në Uashington, kryediplomati, Antony Blinken u përball për të dytën ditë me kundërshtarët politikë gjatë një seance të Komitetit të Punëve të Jashtme.

Senatori nga opozita, Rend Pol, apeloi që vendi të mos hedhë më para dëm në Afganistan.

Republikanët akuzuan qeverinë se u tregua e pakujdesshme me largimin nga vendi, duke u lënë talibanëve 80 miliardë dollarë armatime, avionë dhe helikopterë, ndërsa operacionet e evakuimit përfunduan me 13 ushtarakë amerikanë të vrarë.

“Në korrik komuniteti i inteligjencës na tregoi se me shumë të ngjarë Talibani do të merrte kontrollin në fund të këtij, dhe askush nuk e parashikoi që e gjithë rezistenca të binte brenda 11 ditëve,” u shfajësua Sekretari i Shtetit, Blinken, duke sqaruar se Amerika ka nxjerrë mësime nga dy dekadat e luftës në Afganistan.