Kriza energjetike, nga abuzimet me pushtetin/ Kategorik Fatos Lubonja

Në një intervistë për News 24 analisti Fatos Lubonja tha se kriza energjetike vjen përshkak të abuzimeve me pushtetin.

Ai tha se shqiptarët lëvizin vetëm në momentin që i vidhen paratë në mënyrë të drejtpërdrejt, e këtu përmendi shembullin e piramidave.

Fatos Lubonja: Nëse do të nisemi nga fjala krizë, ajo ka dy kuptime, ku përfshihet edhe zgjidhja. Pse e them? E them sepse kjo është vërtetë një krizë, por a jemi përqendruar ne në këtë krizë për të gjetur zgjidhje afatgjatë? Unë mendoj që është rasti për t’u thelluar. Kjo që ne e quajmë krizë, nuk është një fatkeqësi natyrore, si tërmeti apo pandemia, por është rezultati i abuzimeve të mëdha me pushtetin. Gjithçka duhet parë në këtë fokus. Ne kemi prodhuar energji dhe gati mjaftueshëm për të harxhuar për këtë vit, por ne e kemi shitur 21 herë më lirë ose e kemi blerë 21 herë me shtrenjtë, se atë që kemi shitur.

Rama thotë që jemi të detyruar ta bëjmë përherë, sepse nuk e ruajmë dot energjinë?

Fatos Lubonja: Unë besoj më shumë opozitën këtu se sa Edi Ramën, ashtu sikurse besoj atë tjetrën që 30 % e karburanteve që na shitet me atë çmim futet kontrabandë. Kjo e “Pandora Paper” është e njohur. Këtë punë duhet ta zgjidhë drejtësia, por drejtësinë e kanë kaluar këta dhe jemi në një rreth vicioz. Ka dhe kriza të tjera që janë më të thella, për të cilat kemi folur vazhdimisht. Personalisht kam folur herët që përvojat e krijimit të metropoleve të mëdha- se ka pasur dhe ide për të bashkuar Durrësin dhe Tiranën në një super metropol- krijojnë probleme të mëdha. Janë ndjekur politika të gabuara që ne do i paguajmë edhe në këtë formë. Ashtu sikurse ndërtimet e larta, që dërgohet uji me pompa nga lart, ku harxhohet shumë energji, e në 30 vite nuk është bërë asnjë investim. Ndërkohë kemi një qeveri që thotë fajin e ka bota, Evropa, opozita, e ajo asnjëherë.

Opozita çfarë duhet të bëjë?

Fatos Lubonja: Vërejtjet e opozitës janë me vend dhe qëndrojnë. 30% e karburanteve janë kontrabandë. Ata (qeveria) ka kapur pushtetin politik, drejtësinë, e çdo të bëj opozita më? Këtu kthehemi te kriza dhe në këtë drejtim, opozita duhet të ngrejë popullin për të zgjidhur këto probleme. Opozita duhet të shkonte te ambasada amerikane e të thoshte se korrupsioni ka 8 vite që është prezent. Këtë duhet të bëjë opozita.