Kreu PAA-së, Duka: Opozita të bashkohet, PD të mos përsërisë gabimet e së shkuarës

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, i kërkon opozitës që të bashkohet, në mënyrë që të dallë në bllok në zgjedhjet vendore të 2023.

Duka deklaron se ka ka ndjekur me vëmendje qëndrimin e demokrateve të Mirditës, i cili nuk sintetizon vetëm vullnetin e tyre për bashkim përpara zgjedhjeve vendore brenda radhëve të Partisë Demokratike, por është edhe një kambanë alarmi për opozitën në të gjitha grupimet e saj, pasi zgjedhjet vendore janë pak muaj larg dhe koha nuk pret.

“Përtej pakënaqësive midis palëve brenda PD-së, është jetike për vendin që ky ngërç të tejkalohet sa më parë në forcën kryesore të opozitës, sepse ndërkohë që ne nuk kemi nisur ende organizimin, Partia Socialiste e ka nisur fushatën. Përsëritja e gabimeve të së shkuarës do të ishte edhe më fatale, pasi qytetarët më shumë se kurrë, kanë nevojë të përfaqësohen nëpërmjet opozitës në institucionet e pushtetit vendor, sepse është e qartë për të gjithë që kjo mazhorancë nuk ka asgjë për të ofruar dhe vetëm çorganizimi ynë, lejon qëndrimin e saj në pushtet”, deklaron Duka.

Sipas tij, vullneti i bashkimit duhet të përhapet në gjithë Shqipërinë. Duka inkurajon të gjitha forcat opozitare që të organizohen një orë e më parë, për të gjetur pikat e bashkëpunimit, të bazuara mbi vlerat e përbashkëta dhe ambiciet për të përfaqësuar sa më mirë qytetarët shqiptarë, duke i dhënë fund monopolit antidemokratik të mazhorancës aktuale moniste.

“Si një politikan me një përvojë të gjatë, që në asnjë moment nuk kam vendosur interesat për pushtet mbi qëllimet e përbashkëta, ndjejë përgjegjësinë qytetare që të hedhë një hap në drejtim të bashkimit të opozitës në funksion të zgjedhjeve vendore, duke mbështetur rezolutën e demokratëve të Mirditës si një platformë që i vlen të gjitha partive opozitare”, deklaron kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Duka.