Kreditë për investime spekulative në prona së shpejti mund të jenë më të shtrenjta

Kreditë për blerjen ose ndërtimin e pronave me qëllim investimi së shpejti mund të jenë më të shtrenjta.

Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime rregullatore, që do të kërkojnë nga bankat më shumë kapital për mbulimin e kredive që financojnë investimet spekulative në pasuritë e paluajtshme.

Sipas disa ndryshimeve të propozuara në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”, financim spekulativ i pasurisë së paluajtshme do të konsiderohet çdo kredi e dhënë nga banka për blerjen e tokës, zhvillimin ose ndërtimin mbi tokën, të lidhur me një pasuri të paluajtshme, ose për blerjen e pasurisë së paluajtshme ose zhvillimin apo ndërtimin e saj, me synim rishitjen e kësaj pasurie për qëllime fitimi.

Sipas ndryshimeve të propozuara nga Banka e Shqipërisë, këto kredi do të ponderohen me një peshë rreziku 150% për efekt të llogaritjes së mjaftueshmërisë së kapitalit. Aktualisht, të gjitha kreditë hipotekare për blerjen ose ndërtimin e pasurive të paluajtshme rezidenciale ponderohen me një peshë rreziku 35%. Diferencimi i kredisë për prona sipas qëllimit të blerjes së saj logjikisht do të bëjë që kreditë për investime spekulative në prona do të bëhen më të shtrenjta, sepse ato do të rëndojnë më shumë në kapitalizimin e bankave.

Në teori, kreditë që tentojnë blerjen apo ngritjen e pronave me qëllim spekulimi bartin një rrezik më të lartë, të lidhur jo vetëm me aftësinë paguese të kredimarrësit, por edhe me konjukturat e tregut të pasurive të paluajtshme, Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka vendosur ta reflektojë këtë rrezik më të lartë edhe në kërkesat rregullatore të kapitalizimit për bankat tregtare.

Në vitet e fundit, çmimet e pasurive të paluajtshme kanë nisur një cikël të ri rritjeje të shpejtë. Kjo rritje e çmimeve ka tërhequr një interes në rritje për të investuar në shtëpi jo vetëm për nevoja banimi, por edhe si formë investimi, me qëllim sigurimin e kthimeve nga qiradhënia ose ritshitja.

Burime nga sektori bankar bëjnë të ditur se kreditë me qëllim të tillë kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në vitet e fundit. Zonat ku investimet e këtij lloji janë kryesisht Tirana dhe bregdeti, përfshi këtu disa komplekse elitare që po ndërtohen në vitet e fundit. Normat e ulëta historike të interesit dhe oferta e lartë për kredi hipotekare nga sektori bankar kanë luajtur një rol të konsiderueshëm në nxitjen e këtyre investimeve.

Por, ndryshimet rregullatore që pritet të miratojë Banka e Shqipërisë mund ta frenojnë disi hovin e investimeve për qëllime spekulimi, për atë pjesë të transaksioneve që financohen me kredi bankare.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në fund të shtatorit 2021 ka arritur në 140.7 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 13%. Për 9-mujorin e parë të vitit 2021 sektori bankar në vend ka disbursuar 28.7 miliardë lekë ose rreth 235 milionë euro kredi të reja për shtëpi. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vlera e disbursimeve të reja është rritur me 60%./Monitor