Kredia për investime, këtë vit po shkon më shumë për prona dhe më pak për pajisje

Kompanitë private këtë vit po i përdorin kreditë bankare më shumë për investime në pasuri të paluajtshme dhe më pak për kapacitete prodhuese në makineri dhe pajisje.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 10 muajt e parë të vitit kredia bankare për makineri dhe pajisje kishte vlerën e 21.2 miliardë lekëve, në rënie me 15.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithë goditjen e fortë që dha pandemia në sektorin privat, kredia për makineri dhe pajisje në mënyrë të papritur shënoi nivelin më të lartë të të tre viteve të fundit, ndërsa këtë vit ajo qëndron në nivele ndjeshëm më të ulëta.

Kjo ecuri e papritur mund të shpjegohet ndoshta me shmangien në kohë mes projekteve të reja të investimit dhe ecurisë së disbursimit të kredive. Vitin e kaluar, biznesi ka vijuar me projektet e veta pavarësisht goditjes së pandemisë, bazuar ndoshta edhe në perceptimin se pandemia do të kishte një ndikim kalimtar në ekonomi.

Kjo qasje u mbështet edhe nga oferta e kënaqshme për kredi e sektorit bankar. Këtë vit, kredia e re është ndjeshëm më e ulët krahasuar me vitin e kaluar, duke reflektuar me një vonesë në kohë, ngadalësimin e projekteve të reja të investimit në mallra kapitale që shkojnë për financim në dyert e bankave tregtare. Sidoqoftë, e shprehur si tepricë portofoli kredia për makineri dhe pajisje ka vazhduar rritjen dhe në fund të tetorit ka arritur vlerën e 108.4 miliardë lekëve, 7.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ecuria e kredisë bankare është megjithatë vetëm një prej indikatorëve të tërthortë të ritmit të investimeve të reja në ekonomi. Një tregues më drejtpërdrejtë është importi i makinerive dhe pajisjeve, që sipas Instat për 10 mujorin-2021 arriti vlerën e 139 miliardë lekëve, në rritje me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, këtë vit vërehet një rritje e kredisë për pasuri të paluajtshme edhe nga bizneset. Kredia e re për blerjen e pasurive të paluajtshme nga biznesi për 10 muaj kishte vlerën e rreth 23.6 miliardë lekëve, me një rritje të lehtë prej 3% krahasuar me një vit më parë. Tendenca në rritje për të investuar në pasuri të paluajtshme, e dukshme tek individët, ka përfshirë në vitet e fundit edhe bizneset. Normat e ulëta të interesit e kanë bërë më të lirë kredinë dhe koston e investimit për të blerë ose ndërtuar një pasuri të paluajtshme.

Megjithë luhatjet vjetore, kredia bankare përgjithësisht është më e orientuar drejt mbështetjes së investimeve. Të dhënat tregojnë se kredia për investime, përfshi pronat, makineritë dhe pajisjet, tashmë përbën më shumë se 55% totalit të kredisë për kompanitë private. Pesha e saj specifike është rritur me rreth tre pikë përqindje në harkun e tre viteve të fundit./Monitor