Në fund të muajit shkurt, Banka Botërore organizoi një takim diskutimi mbi cëcshtjet e aksesit në financa, të fokusuar sidomos tek kreditimi i sektorit të bujqësisë.
Në fjalën e tij në takim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se problemet specifike të kreditimit të sektorit bujqësor janë evidentuar prej vitesh dhe një pjesë e tyre mbeten ende të pranishme.
Edhe statistikat dëshmojnë se kreditimi i bujqësisë nga sektori bankar ngelet ende në përmasa shumë të vogla dhe pothuajse të papërfillshme në raport me kontributin që ky sektor jep në ekonomi.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re për sektorin e bujqësisë vitin e kaluar kishte vlerën e 2.59 miliardë lekëve, me një rritje të lehtë prej 2.5% krahasuar me një vit më parë. Kredia e re për bujqësinë përbënte më pak se 1.4% të shumës së përgjithshme të kredisë për biznes të disbursuar nga sektori bankar vitin e kaluar.
Ndërsa vlera totale (teprica) e portofolit të kredisë për sektorin bujqësor në fund të vitit të kaluar arriti në 6.95 miliardë lekë, 4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shumë përbën rreth 1.7% të vlerës totale të portofolit të krdisë për biznesin.
Pesha e bujqësisë në portofolin e kredisë për ndërmarrjet private ka ngelur pothuajse e pandryshuar në dekadën e fundit. Shifrat tregojnë se kreditimi i bujqësisë nuk ka njohur ndonjë hov domethënës, pavarësisht aplikimit të skemave të ndryshme të lehtësimit të financimit dhe diskutimeve të herëpashershme rreth nevojës për të rritur mbështetjen e këtij sektori me hua.
Sipas ekspertëve të bankave tregtare, problemet më të mëdha më kreditimin e buqësisë lidhen me mungesën e garancive dhe kolateraleve për huatë, mungesën e informacionit, njohurive teknike dhe aftësive menaxheriale të fermerëve, fragmentizimi i lartë i tokës (fermat e vogla) e si pasojë mungesa e ekonomive të shkallës dhe mungesa e koperimit mes fermerëve për të siguruar kontrata të mëdha porosie, shfrytëzimit të përbashkët të magazinave, etj.
Banka Qendrore ka theksuar se skemat e garancisë mund të jenë zgjidhje në afatin e shkurtër dhe të mesëm, por zbutja e rreziqeve të kreditimit të bujqësisë në afatin e gjatë do të kërkonte ndërhyrje më thelbësore për rritjen e konkurrueshmërisë së këtij sektori.
Një mekanizëm tjetër që do të ndihmonte në zbutjen e rreziqeve mund të ishte edhe aplikimi i produkteve të sigurimit të fermerëve, produkte që në Shqipëri pothuajse nuk ekzistojnë.
Për shkak të rreziqeve të larta ndaj të cilave është i ekspozuar ky sektor, primet e sigurimit zakonisht rezultojnë shumë të larta, në nivelin e 7%-8% të shumës së siguruar. Ekspertët e sigurimeve shprehen se këto produkte në Shqipëri nuk ekzistojnë, sepse prime kaq të larta janë të papërballueshme për fermerët.
E vetmja zgjidhje mund të ishte subvencionimi i pjesshëm i primeve të sigurimit nga shteti, si formë e mbështetjes së fermerëve. Një zgjidhje e tillë do të ulte ndjeshëm rreziqet edhe për institucionet e kredidhënies, duke iu dhënë fermerëve më shumë akses në kredinë bankare./Monitor