Kosovë/ Opozita akuzon Kurtin për refuzimin e gazsjellësit amerikan

Opozita në Kosovë vazhdon të kundërshtojë vendimin e qeverisë Kurti për refuzimin që i ka bërë projektit për gazsjellësin të financuar nga SHBA-ja. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri i ka bërë thirrje qeverisë që të rishqyrtojë edhe njëherë këtë vendim. Sipas tij vendi ynë nuk e ka luksin për një refuzim të tillë ndërsa ka paralajmëruar se do të ketë debat parlamentar për këtë çështje.

“Ne i kërkojmë qeverisë që ta rishikoj edhe njëherë vendimin sa i përket gazsjellësit. Alternativat gjithmonë janë të rëndësishme, aq më shumë që po flasim për një projekt që financohet nga SHBA-ja që kap vlerën e 200 mln dollarëve. Refuzimi i qeverisë së Kosovës i bënë dëm të madh vendit”.

Edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj ditë më parë ka kërkuare debat në Kuvend për çështjen e gazsjellësit, madje kërkesën Grupi Parlamentar i AAK-së e ka dorëzuar në Kuvend. Sipas tij çështja e gazit nuk mund as të mjegullohet e as të spostohet me të pavërteta. Qeveria e Kosovës javë më parë ka refuzuar projektin amerikan për kyçjen e Kosovës në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut.