Kosovë, KFOR-i italian dhuron pajisje mjekësore në vlerë prej 50 mijë euro

Përfaqësuesit e kontingjentit italian të KFOR-it sot i kanë dorëzuar Shërbimit spitalor klinik universitar të Kosovës një donacion në formë të pajisjeve mjekësore për kujdes intensiv, në vlerë prej 50 mijë euro.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, ambasadori italian Antonello De Rio dhe përfaqësues të KFOR-it italian morën pjesë në ceremoninë e mbajtur në Shërbimin spitalor klinik universitar të Kosovës.

Ministri Latifi falënderoi Italinë dhe popullin italian për ndihmën e vazhdueshme në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë në periudhën e pasluftës, ndërsa veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit. Ai theksoi se Qeveria e Italisë dhe KFOR-i italian kanë ndihmuar në furnizimin e vaksinave kundër COVID-19 si dhe me ndihmën dhe shkëmbimin e përvojës së ekspertëve italianë në fushën e trajtimit intensiv në fillim të pandemisë.

“Italia ndër vite ka ndihmuar sistemin shëndetësor të Kosovës për të ofruar shërbime sa më cilësore që ka për qëllimin ngritjen e kapaciteteve shëndetësore, në sferën e kardiokirurgjisë, sidomos në kardiokirurgjinë e fëmijëve. Tani do të sigurojmë trajnimin e kirurgëve, anesteziologëve, infermierëve dhe infrastrukturën me pajisjen e nevojshme për shërbimin shumë të rëndësishëm për të cilin Kosova ka nevojë shumë”, tha Latifi.

Ai theksoi se trajnimi do të fillojë këtë vit dhe se qëllimi është që qytetarët e Kosovës të mos shkojnë për trajtim jashtë vendit duke trajnuar personelin mjekësor dhe duke përmirësuar infrastrukturën.

Ambasadori italian De Rio tha se donacioni i sotëm konsiston në pajisje për monitorimin e terapisë me oksigjen gjatë kujdesit intensiv për foshnjat dhe të rriturit.

“Ky projekt ndihme është pjesë e bashkëpunimit civilo-ushtarak që forcat e KFOR-it po e zbatojnë në mbarë Kosovën që nga dita e mbërritjes në këtë vend. Për 23 vitet e fundit, KFOR-i ka punuar për të zhvilluar demokracinë dhe për të sjellë paqen dhe stabilitetin në Kosovë, duke siguruar kompabilitet dhe vendosjen e rendit publik”, tha ambasadori italian.

De Rio tha se ekspertët italianë kanë vite që punojnë me personelin mjekësor lokal dhe se në dy vitet e fundit, gjatë pandemisë së COVID-19, Italia ka ndihmuar me furnizimin me oksigjen.

Përfaqësuesi i kontingjentit italian të KFOR-it tha se është nder për të që të dorëzojë pajisjet mjekësore që do ta forcojnë edhe më shumë sistemin shëndetësor të Kosovës.