Kosovë/ 14 Persona të infektuar me koronavirus ndërrojnë jetë në 24 orët e fundit

Autoritetet shëndetësore në Kosovë njoftuan se gjatë 24 orëve të fundit 14 persona të infektuar me koronavirus kanë vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të shkojë në 2.772.

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 583 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 156.583.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 9.634 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 1.102.242 teste.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 1.944 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 135.258 ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 18.548.

Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 19.807 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.015.733 doza të vaksinës. Deri më sot 355.633 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.