Kosova pranohet në kompaninë Apple, falë kontributit të studentit Emin Emini

Kosova ka fituar pavarësinë që nga viti 2008, por deri më tani nuk paraqitej si shtet në Apple Maps, gjë që ka shtyrë Emin Emini të ndërmarrë një iniciativë dhe të filloi komunikimin me këtë kompani, me qëllim që edhe vendi ynë të figuronte në këtë aplikacion.

 Emin Emini është student i Fakultetit Shkenca Kompjuterike në UBT, i cili rreth pesë vite më parë filloi komunikimin zyrtar përmes email-it me Apple, e më pas edhe me kompaninë furnizuese me maps në Apple, Tom Tom.

 “Gjithçka ka filluar në vitin 2015, ku Kosova nuk figuronte askund në kompaninë Apple. Në atë kohë, kam dashtë të kyçem si zhvillues i aplikacioneve (app developer) në këtë kompani. Por, fatkeqësisht, ka qenë e vështirë të kyçem sepse Kosova nuk konfiguronte dhe nuk njihet nga Apple, dhe është dashtë të futem me llogari si qytetar i Shqipërisë”, tregoi studenti Emini.

 Pas insistimit të vazhdueshëm të Eminit, që Kosova të futej në hartën e shteteve në Apple Maps, kjo kërkesë u pranua tek në vitin 2020, pasi kompania Tom Tom pranoi që shteti ynë të shtohet në këtë aplikacion.

 “Nga ajo kohë, vazhdimisht kam dërguar kërkesa kompaninë Apple për ta shtuar vendin në numrin thirrës, App Store, në hartë Apple Maps, si dhe shumë të tjera. Dhe fatmirësisht në fund të vitit 2019, fillimisht kërkesa për App Store ishte pranuar. Fatmirësisht, jemi bashku të gjithë dhe kemi mbushur peticionin për të futur vendin në këtë kompani, të cilin e shkruajtën mbi 70 mijë persona, dhe si përfundim Kosova është pranuar në Tom Tom, me shpresën që edhe në Apple Maps”, potencoi ai.

Emin Emini, student i Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, ishte njëri nga studentët përfitues të bursës për vazhdim të studimeve në Universitetin “Nova de Lisboa”, nga Portugalia. Ai ishte përzgjedhur përfitues i bursës në bazë të notës mesatare mbi 9.0, që e ka arritur gjatë studimeve në UBT./UBT