Kosova në muajin e dytë të grevës së përgjithshme në sistemin e arsimit

Prindërit e nxënësve të shkollës “Naim Frashëri” në Prishtinë protestuan të martën në oborrin e kësaj shkolle me thirrjet që t’i jepet fund grevës së përgjithshme në sistemin e arsimit. E filluar më 25 gusht greva ka hyrë në muajin e dytë dhe ende nuk ka një marrëveshje ndërmjet qeverisë dhe sindikatave që do të mundësonte fillimin e vitit të ri shkollor.

“Siç po shihet greva tani veç ka marrë kahje politike dhe ka humbur karakteri i grevës, qëllimin dhe të gjitha. Kështu që kemi ardh edhe ne si prind në një situatë që tani më duhet të reflektojmë, ndoshta pak me vonesë po edhe ne nuk kemi besuar se do të merr kaq shumë kohë”, tha Besart Macula prind i një vajze në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë.

“Ka qenë një pushim shumë i gjatë për fëmijët, është lidhur me pushimin veror dhe tash kjo po ndikon shumë negativisht por edhe ende nuk kanë përgjigje kur kanë me dal në banka shkollore. Psiqikisht po ndikon te fëmijët negativisht”, tha Krenare Osmani Gjukaj, nënë e dy fëmijëve në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë.

Vlora Vokshi nga Këshilli i Prindërve të shkollës bëri thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje ndërmjet qeverisë dhe sindikatave.

“Kërkesa jonë e vetme është të fillojnë fëmijët sa më shpejt mësimin shkollor. Kjo protestë nuk ka të bëj as që ne prindërit t’i mbajmë anën sindikatës së arsimit apo qeverisë por kjo kryesisht është për të mirën e fëmijëve tanë”, tha ajo.

Por gjetja e një zgjidhjeje mbetët e vështirë sipas kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, i cili në një bisedë për Zërin e Amerikës theksoi gatishmërinë për një marrëveshje me qeverinë.

“Fatkeqësisht ky kryeministër është barrikaduar dhe unë uroj që anëtarësia të na jap sinjale tjera dhe ne si zë i tyre do të veprojmë ashtu siç vendosin anëtarësia. Uroj që ata të na japin sinjale të tjera sepse e pranoj është bërë kohë e gjatë, nxënësit janë jashtë shkolle dhe sidomos e kemi dhimbjen më të madhe te çerdhet sepse prindërit që punojnë në sektorin privat apo publik i kanë një mijë e 1 halle se ku t’i lën ato bebe të tyre dhe uroj që kjo situatë të ndërroj dhe të kemi një situatë shumë më të qetë”, tha zoti Jasharaj.

Punonjësit e arsimit kërkojnë 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit te Pagave. Qeveria ka ofruar 50 euro shtesë në muaj për pjesën e mbetur të këtij viti, në kuadër të një pakoje për përballjen me inflacionin. Takimet ndërmjet palëve deri tani nuk kanë prodhuar rezultat në përafrimin e qëndrimeve që do të hapte rrugë për t’i dhënë fund grevës e cila ka lënë jashtë procesit mësimor mbi 320 mijë nxënës.

“Besoni, të gjithë sindikalistët janë shumë të shqetësuar dhe nuk kanë dashur që të vijë deri te kjo por nëntë muaj ka munguar dialogu, e bën grevën me 25 gusht duke shpresuar së së fundmi atë javë do ta shfrytëzoj qeveria por ajo është barrikaduar dhe një qasje tejet negative ndaj sindikatave”, tha Rrahman Jasharaj.

Ndonëse disa shkolla kanë haur dyert për nxënësit, zoti Jasharaj thotë se më shumë se 98 për qind e sistemit arsimor është në grevë.

Partitë opozitare mbështesin kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, ndërsa po kërkojnë zgjidhje nga qeveria për t’i dhënë fund bllokadës në sistemin arsimor.

“Ne nuk shohim asnjë justifikim që të vazhdon situate e tillë, kjo është një krizë e cila për një ego të një kryeministri që nuk dëshiron të dialogoj dhe gjejë zgjidhje por gjen fuqinë që të tallet me mësimdhënësit dhe kërkesat e tyre, ne mendojmë që është e paprecedentë kjo nuk ka ndodh ndonjëherë dhe nuk duhet të vazhdojë asnjëherë”, tha Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se plotësimi i kërkesës prej 100 euro në muaj do të ishte gabim meqë do të nxiste kërkesa të ngjashme të grupeve të tjera, ndërsa ka nënvizuar se greva është politizuar dhe po përdoret kundër qeverisë së tij.

Ekspertë të arsimit në Kosovë thonë se një ditë e humbur e mësimit në Kosovë ka rol shumë më të madh se në vendet tjera për shkak të ngecjes në cilësi që e karakterizon ende sistemin arsimor të vendit./voa