Kosnett kritikon ligjin e propozuar për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, tha se Ligji i propozuar për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “është mënyrë e gabuar për të treguar respekt për UÇK-në”.

“Ai e kriminalizon fjalën e lirë, i frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ai devijon nga përpjekjet praktike për të kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës”, shkroi Kosnett në Twitter, pa dhënë më shumë detaje.

Më 14 korrik, Qeveria e Kosovës ka mbështetur Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, duke e proceduar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

Projektligji, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Vlera të luftës, sipas këtij projektligji, janë lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK-ja, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, shtabi i përgjithshëm, drejtoria politike, shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset e tjera.

Nuk është ende e qartë se kur ky projektligj mund të dalë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.

Në postimin në Twitter, ambasadori Kosnett po ashtu pyeti se kur do t’i përqendrojnë palët energjitë e tyre në ekonomi dhe në pandeminë COVID-19.

Ditëve të fundit, Kosova është duke u përballur me numër të lartë të rasteve me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Të hënën u shënua shifër rekorde e rasteve të reja: 276.

Numri i përgjthshëm i rasteve pozitive në Kosovë ka arritur tani në 7,846.

Prej tyre, 196 pacientë kanë humbur jetën dhe 4,267 janë shëruar. /REL