“Korrupsioni po na falimenton”, ARPI Sh.p.k në protestë: Na ka bllokuar AKSHE! Na ndalojnë dhe lejojnë të punojmë, me të njëjtin dokument

Punonjësit e “ARPI” për ditë me radhë kanë vijuar protestën pas pezullimit prej 7 muajsh të punës në fabrikën piroteknike. Me pankarta në duar ata kanë kërkuar reagimin e qeverisë dhe institucioneve ligjzbatuese, duke akuzuar Autoritetin Kombëtar Shtetëror të Eksporteve (AKSHE) dhe drejtuesin e saj, Engjëllush Bekteshi, se kanë bllokuar fabrikën.

Megjithëse, protesta vijon dhe shqetësimi është ngritur në rang institucional, si Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes, Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen, si dhe i është kërkuar vëmendje kryeministrit Rama e ambasadave të akredituara në vendin tonë, si përfundim, zëri i tyre duket se ka rënë në vesh të shurdhër.

Mirëpo, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur që me “ARPI” Sh.p.k, që nga nisja e kësaj problematike deri tek agravimi i situatës në protesta disa ditore nga punonjësit e papunë, gazetarja Mirilda Tili ka zhvilluar një intervistë me drejtorin e Cilësisë së Prodhimit në “ARPI”, Lorenc Gjergji dhe Shefen e Prodhimit, Vjoleta Ndreca.

Gjergji është shprehur se moslicensimi nga ana e AKSHE ka qëllime me prapavijë, pasi kompania është e lincesuar nga laboratorët ndërkombëtarë dhe se karta teknologjike dhe markimi CE janë garancitë që kompanitë europiane kanë kur kanë tërhequr produktin “made in Albania”.

Sipas Gjergjit ekziston një hendek ligjor,ku ligjet dhe vendimet e Këshillit të Ministrave hidhen poshtë nga urdhëra të një institucioni si AKSHE, që e ka zanafillën para 8 vitesh, dhe u shënohen edhe 2 kallëzime.

Si përfundim, nga pezullimi i aktivitetit të fabrikës piroteknike, drejtori i cilësisë së prodhimit dhe shefja e prodhimit të kësaj kompanie shohin si humbje jo vetëm prishjen e kontratave, djegien e mallit, por edhe mbylljen e vendeve të punës për qindra punëtorë.

“Ne po rrezikojmë jashtë mase shumë, madje po shkojmë drejtë falimentimit kolosal. Plus më tepër, edhe kontratat që janë bërë me firma të tjera eksportuese ne kemi penalitete pasi nuk është arritur të bëjmë dot produktin gati. Ne do të shkojmë në instancat më të larta që ekzistojnë, sepse ne po shkojmë drejt fundit dhe nuk kemi çfarë të humbim më.”– ka thënë drejtori i cilësisë së prodhimit në “ARPI”, Lorenc Gjergji.

/Pezullimi i punës në fabrikën piroteknike “ARPI”/

Intervista e plotë:

Z. Gjergji, çfarë ka ndodhur nga e hëna deri më sot? Ka pasur reagim institucional?

Gjergji: Deri tani nuk ka patur asnjë reagim nga institucionet shtetërore.

Pra, kërkesat e bëra ditën e hënë kanë rënë në vesh të shurdhër?

Gjergji: Po, totalisht në vesh të shurdhër. Deri tani nuk kemi arritur të marrim asnjë reagim nga institucionet.

Ku qëndron akuza ose pengesa ndaj fabrikës tuaj që nuk u lejohet të punoni prej 7-muajsh?

Gjergji: Akuza që është ngritur nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE) bazohet në dy pika:

-Ne nuk kemi autorizim magazinimi;

-Kemi dy kallëzime penale nga Prokuroria.

Mirëpo ne aktualisht kemi edhe autorizim magazinimi, edhe letrën nga Prokuroria që nuk jemi në kallëzim penal.

Për ne që nuk kuptojmë nga piroteknika, ku qëndron kleçka për magazinimin? Me çfarë kartash teknologjike jeni pajisur ju dhe pse nuk ju lejohet të përdorni magazinat tuaja?

Gjergji: Ne prej 14 vjetësh kemi pasur autorizim magazinimi të rregullt. Këtu kam edhe një autorizim magazinimi të 2019 (e tregon për kamerat), që është më se i rregullt, i cili na lejon të magazinojmë produktet piroteknike që ne prodhojmë, me afat 3-vjeçar.

Pra është brenda afatit për të ushtruar forcën e vetë ligjore…

Gjergji: Më saktë ishte, deri në momentin që AKSHE i bëri një kërkesë ministrit të Brendshëm në atë kohë, Sandër Lleshaj, që fabrikës tonë t’i bëhej revokimi i magazinimit me pretendimin se të gjitha produktet që prodhon “ARPI” kanë në përbërje squfur.

Që të prodhohen produkte piroteknike, duhet të kenë ato squfur?

Normalisht që duhet të kenë. Fitili është një ndër produktet bazë në prodhimin e piroteknikës, dhe përmban squfur. Çka do të thotë që është e pamundur që ne të prodhojmë pa fitil.

Po produktet piroteknike që hyjnë Shqipëri, a kanë në përbërjen e tyre squfur?

Gjergji: Normalisht që po. Ndërsa të gjithë produktet piroteknike kanë fitil, normalisht që në përbërjen e tyre kanë squfur.

Atëhere kjo kërkesë e ardhur tani, që nuk duhet të kenë squfur, ndërkohë që ju jeni në treg që prej vitit 2006, çfarë ka ndodhur? Kanë ndryshuar kushtet dhe standartet Evropiane për përbërjen e squfurit? Çfarë ka ndodhur?

Gjergji: Jo, nuk kanë ndryshuar kushtet Evropiane. Kushtet janë po të njëjtat, por në bazë të një urdhëri të tre ministrave në 2018, është bërë ndalimi të gjitha produkteve që kanë në përbërjen e tyre squfurin. Dhe nga e gjithë kjo, na ka hapur vetëm ne si fabrikë piroteknike problematika. Pasi të gjitha firmat që prodhojnë dhe tregtojnë produkte piroteknike në Shqipëri, kanë autorizim magazinimi siç i kanë pasur. Vetëm ne na kanë bërë revokimin dhe ndërrimin e udhëzimit të magazinimit. Nuk e kuptojmë pse na është bërë një gjë e tillë. Ose është bërë në formë hakmarrje ndaj firmës ARPI Sh.p.k, pasi administratori mund të ketë akuzuar autoritetin Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për korrupsion, pasi vetëm atëhere ne na kanë ardhur të gjithë problematikat.

Mbas kërkesës që i është bërë ish-ministrit të Brendshëm për të kërkuar revokimin e autorizim magazinimit, policia e shtetit ka vënë në zbatim këtë urdhër. Mirëpo, habia qëndron këtu. Lënda që është zënë, është po i njëjti që na është dhënë leja e autorizim-magazinimit, pra flasim për të njëjtin produkt, për të njëjtën sasi. Një herë jepet, një here hiqet autorizimi dhe rijepet prap por me një kusht: “Ndalimin e magazinimit të të gjitha substancave që kanë në përbërje squfur”. Përcaktohet shumë qartë kjo pjesë, që do të thotë se është absurde në vetëvete. Ti mua më lejon që të magazinojë produkte piroteknike, dhe këtu më ndalon në po të njëjtën kohë.

Në dokumentin e autorizimit që ka firmën e Shefit të Komisariatit thuhet se: “Magazinimin e lëndëve piroteknike për përdorim civil dhe fishekzjarre të subjektit ARPI Sh.p.k, me administrator Pjetër Pëllumbi, në ambientet e depos nr.1, në adresën fshati Kuç, Bashkia Vorë, Tiranë, ndalimin e magazinimit të të gjitha substancave piroteknike dhe fishekzjarre që përmbajnë squfur, fosfor, të përzier me klorum potasiumi dhe klorate të tjera, apo që përbëjnë njërën nga përzjerjet e tilla.”

Pra pika e parë është magazinimin e lëndëve, dhe pika e dytë flet për ndalimin e magazinimit…

Gjergji: Pra po thotë diçka abstrakte në vetëvete. Këtu më lejon dhe këtu më ndalon. Dhe bëhet fjalë për po të njëjtin dokument.

Pra rreshti i parë i urdhërit lejon, i dyti hedh poshtë….

Gjergji: Po, ky është i gjithë absurditeti që po ndodh me ne. Dhe kjo i ndodh vetëm fabrikës tonë. Çka dmth pse firmave të tjera importuese nuk iu është revokuar autorizim magazinim, por vetëm ne?!

Znj. Violeta, ju si Shefja e Prodhimit si e shpjegoni çështjen e squfurit të nxjerrë si problematikë, duke qenë se jeni edhe eksperte në këtë fushë dhe punoni me të?

Ndreca: Ne prodhojmë në bazë të skedës teknike dhe skeda teknike e përmban squfurin. Skeda teknike është e miratuar nga laboratori “LOM”. Klienti kërkon skedën teknike dhe thotë më bëj prodhimin në bazë të kësaj skede. Dhe prodhimi shoqërohet me këtë skedë.

Kjo është karta teknologjike e cila është shumë voluminoze dhe është e miratuar nga laboratori i Madridit…

Ndreca: Kjo është një lloj si të thuash p.sh: që ti do të gatuash bukë, por bëje pa miell. Hidhi vetëm kripë dhe maja. A bëhet kapsollat pa lëndën ndihmëse? Squfuri është një lëndë ndihmëse.

A është skeda teknike e miratuar nga Bashkimi Evropian? Është standart që klientët tuaj e blejnë produktin në bazë të kësaj skede.

Ndreca: Po normal. Dhe prodhimi shkon i shoqëruar me skedën teknike. Klienti thotë më bëj prodhimin dhe unë e dua të shoqëruar me skedën teknike.

Gjergji: Ajo është pasaporta e produkteve tona. Çka do të thotë se pa të nuk mund të bëjmë asgjë, as import as eksport. Pra thënë shqip, kjo është ajo që na ka garantuar klientelën.

Karta teknologjike që vjen si detyrim për kompaninë tuaj nga klientët tuaj, që të prodhoni brenda standarteve që ata kërkojnë në tregun Evropian, me markimin CE. Institucionet shqiptare, qoftë kjo edhe AKSHE ju pengon për të ruajtur këtë standartë të vendosur nga Bashkimi Evropian, në një kohë kur ne përpiqemi të hyjmë në BE. Ju si e kuptoni këtë?

Gjergji: Ne nuk kemi arritur ende t’i japim përgjigje kësaj pyetje, sepse ne kemi ecur përpara duke hyrë si fabrikë në Bashkimin Evropian, ndërkohë vetë Republika e Shqipërisë, më saktë institucioni AKSHE do ta ndalojë me doemos hyrjen tonë në Evropë.

Pas këtij pezullimi dhe revokimi nga AKSHE, ku e keni drejtuar kërkesë ankesën tuaj? A keni njoftuar instancat më lartë për të reaguar ndaj këtij fenomeni?

Gjergji: Po. Kemi njoftuar më lartë, në Ministrinë e Mbrojtjes, ka qenë ish-ministrja e Mbrojtjes, znj. Xhaçka, e cila bëri të pamundurën, duke i dhënë urdhër AKSHE-së që të zbatojë ligjin dhe jo urdhërin, por kokëfortësia e AKSHE-së ishte më e fortë edhe se sa ligji që i kërkoi të zbatohej znj. Xhaçka.

Jemi në fazën kur një urdhër ka hedhur poshtë një ligj?!

Gjergji: Ka hedhur poshtë një ligj dhe direktiën Evropiane.

Në këto momente që flasim, prodhimi është i certifikuar?

Gjergji: Normalisht që është i certifikuar, dhe AKSHE disponon të gjitha certifikimet tona sepse ne për çdo licencë prodhimi apo edhe licencat e eksportit që i marrim për çdo vit, ne i depozitojmë të gjitha dokumentat për certifikimet e produkteve.

Ju jeni bllokuar për të mos u lejuar që të kryeni procesin nga prodhimi dhe deri tek nxjerrja në treg e produktit, pavarësisht kontratave në fuqi për blerjen e produktit. Ka të bëjë me një padi penale në Prokurori. Si qëndron e vërteta në këtë padi penale të bërë? Kush e ka bërë padinë dhe si ka ecur procesi?

Gjergji: Më saktë janë dy padi të bëra nga AKSHE. Vetë na ka paditur, vetë e ka vendosur në procedurë. Çka do të thotë, AKSHE ka bërë një padi në vitin 2019 ndaj produkteve që përmbajnë squfur, pra ka marrë nga produktet tona në fabrikë dhe i ka dërguar ato për analizë për të parë nëse kanë në përbërje squfur këto fishekzjarre apo jo. Por habia qëndron në faktin se kallëzimi vazhdon akoma, kur malli që AKSHE ka marrë për të kryer analizat është eksportuar dhe kjo licencë eksporti është dhënë po nga AKSHE.

Pra monstra e marrë për t’u analizuar ka qenë produkt eksporti. I shoqëruar në etiketë me të dhënat, ku konfirmohet që në përmbajtje të saj ka squfur…

Gjergji: Jo, në etiketë nuk shkruhet që ka përmbajtje squfur. Shkruhet vetëm lënda aktive që ka në përmbajtje, nek. Pra AKSHE, i mori për analizë këto produkte të cilat janë eksportuar, akoma vazhdon kallëzimin ndaj firmës. Por është e habitshme fakti se këto produkte për të cilat Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve ka pretendime janë eksportuar, janë shitur me firmën dhe lejen për eksport të po këtij institucioni. Dhe këtu dispononi edhe lejen e eksportit (drejton dokumentin nga kamera). Këto janë eksportuar drejt Bullgarisë.

Klientët tuaj cilët janë… Kjo për të kuptuar se si këto produkte testohen pasi kanë dalë në treg, gjë kjo e cila përbën një shkelje ligjore në këtë moment, por gjithsesi juve ku shkoni me produktin tuaj?

Gjergji: Ne me produktin tonë shkojmë në të gjithë Evropën që do të thotë, duke vazhduar nga Bullgaria, Çekia, Polonia, Italia, Belgjika, Spanja, Rusia, Bjellorusia… Pra në të gjithë Evropën. Janë të gjitha produkte CE.

Çfarë ndodhi me kallëzimin?

Gjergji: Kallëzimi ekziston akoma përsa iu përket përmbajtjeve me squfur. Kallëzimi tjetër është bërë ndaj ish-drejtuesit teknik për një firmë të pretenduar se është false, në një dokument që nuk ka asnjë vlerë ligjore.

Çfarë dokumenti ka qenë që nuk ka vlerë ligjore, por që pretendohet se është falsifikuar?

Gjergji: Është një dokument që është bërë nga vetë autoriteti AKSHE, që drejtuesit teknik deklarojnë se sa punëtorë punojnë në fabrikë. Vetëm kaq ka si dokument. Për këtë ish-drejtuesi teknik ka thënë që “ajo është firma ime”. Por që hetimet akoma vazhdojnë.

Prokuroria, çfarë rezultati ka nxjerrë pas hetimit?

Gjergji: Prokuroria, pas kërkesës që kemi bërë ka thënë: “Subjekti ARPI Sh.p.k apo administratori i tij, z. Pjetër Pëllumbi, nuk janë në ndjekje penale.”.

VKM-ja 132 që përcaktohet për të marrë licencën e prodhimit apo edhe licencën e eksportit, aty përcaktohet një pikë ku thuhet: Firma nuk duhet të jetë në procedim penal. Dhe ne këtë letër e kemi, ku përcaktohet se firma nuk është në procedim penal, por që autoritetit AKSHE nuk i pëlqen ky llojë formati që kemi këtu, por do formatin “TIP” të Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria pse nuk e lëshon formatin “TIP” për ju? Çfarë ka ndryshe që lëshon këtë dokument, por nuk lëshon formatin “TIP”?

Gjergji: Prokuroria duke pasur dy kallëzime ndaj firmës, e ka të pamundur që të lëshojë formularin “TIP”. Është çështje proceduriale e rregullores së saj të brendshme. Mirëpo kjo nuk është faji i firmës, që nuk është në ndjekje penale. Aty është e përcaktuar më së miri që firma nuk është në ndjekje penale.

Për sqarim, ky dokument a është autentik? Sepse AKSHE duhet të ketë një arsye pse nuk e pranon dokumentin nga Prokuroria dhe kërkon një format tjetër? A e ruan autenticitetin e tij ky dokument?

Gjergji: Patjetër që e ruan autentikën e vetë si dokument, pasi është firmosur nga vetë kryeprokurorja. Normalisht që ajo është e para e Prokurorisë. Derisa Prokuroria ka lëshuar një vërtetim ku shprehet se firma nuk është në ndjekje penale, atëhere pastaj AKSHE thjesht do të shtyjë kohën ndaj nesh. Pra nuk e dua të kuqe, por e dua të bardhë letrën.

Me këtë hendek nga njëri institucion tek tjetri, tashmë kanë kaluar 7 muaj që ju nuk po kryeni aktivitetin tuaj tregtar…

Gjergji: Kjo është kosto. Janë prishur me dhjetëra kontrata. Firma po shkonë drejt falimentimit dhe gjithë beteja jonë po bie në një vesh të shurdhër, pa asnjë lloj reagimi nga institucionet përkatëse.

Padi ndaj AKSHE keni ngritur, duke qenë se ju thoni se ai ka kryer kallëzim penal për një dokument që ju thoni se nuk ka asnjë vlerë ligjore?

Gjergji: Po kemi ngritur një padi ndaj autoritetit AKSHE dhe e kemi depozituar në Prokurori.

Znj. Vjoleta, duke qenë se ju jeni edhe më afër punëtorëve këtu. Në këto 7 muaj çfarë dëmi u është shkaktuar ju dhe familjeve tuaja?

Ndreca: Gjatë këtyre 7 muajve, përveç vështirësive të hasura gjatë pandemisë dhe tërmetit, neve edhe këtë patëm mangët, që të mbyllej puna. Këtu janë me qindra familje të punësuara të cilat kanë mbetur pa punë, dhe janë çdo ditë me shpresën që kjo punë do të hapet.

Ne këtu kemi punuar me të gjitha ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha standartet e Bashkimit Evropian. Nuk kemi thyer asnjë rregull sikurse pretendohet.

Kemi arritur cilësinë, majat, jemi kompani me cilësi në të gjithë Evropën. Malli jonë kërkohet në të gjithë Evropën pasi ka arritur cilësinë më të mirë.

Ju aktualisht nuk shisni në Shqipëri? Kjo jo se vetëm tregtoni me jashtë, por edhe sepse është bllokuar apo jo?

Ndreca: Jo, Jo. Është bllokuar, as që nuk bëhet fjalë që të shesim në Shqipëri. E kemi eksport në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Malli është cilësor…

Përveç mallit, si është të punosh me lëndë piroteknike? Pasi konsiderohet një punë që ka edhe lëndë plasëse?

Ndreca: Atëherë unë personalisht kam 12 vjet që punojë në këtë fabrikë. Po ashtu, punonjësit që punojnë këtu janë të specializuara nga specialistë të huaj, kështu që rreziku për mua dhe punëtorët këtu është “0”. Këtu është një punë shumë e mirë, një punë artizanale, që kushdo e bën me shumë qejf, pasion dhe dashuri. Është një punë që nuk ka asnjëfarë rreziku. Duke zbatuar të gjitha rregullat që i takojnë fabrikës, shteti shqiptar nuk ka kurrfarë rreziku. Rreziku është “0”.

Jo pa qëllim e bëra këtë pyetje, pasi është mendësia që në fabrikat piroteknike ka rrezik të shtuar. Dhe kjo është ajo që vjen si perceptim i parë…

Ndreca: Jo, unë e kam dëgjuar këtë shpesh herë dhe u kam thënë edhe personave që më kanë pyetur që nuk është ashtu siç perceptohet. Punëtorët po presin dita ditës që kjo punë të hapet, pasi këtu nuk ka asnjë mundësi punësimi dhe nuk kanë ku të shkojnë.

Unë në emër të të gjitha këtyre familjeve të të gjithë këtyre punëtorëve i bëj thirrje kryeministrit të Shqipërisë, që të marrë masa dhe të na hap punën sa më parë.

Ku po trokisni për punën tuaj, sepse është vërtetë një ngjarje që në kohën kur deklarohet se po investohet për ekonominë, janë hapur nipte të reja, biznese të vogëla, janë hequr detyrimet e TVSH-së për biznesin e vogël, e me radhë, që të duket në atmosferë një mbështetje ndaj biznesit. Ju keni përfunduar këtu për shkak të vendimit të një institucioni. Ku e keni depozituar kërkesën tuaj për t’u mbështetur dhe për të zhbllokuar situatën?

Gjergji: Ne e kemi depozituar kërkesën tonë në Ministri të Mbrojtjes, në Kryeministri ndaj zotit Rama, në Ministrinë e Mbrojtjes për Sipërmarrjen, z. Shalsi, dhe si përfundim nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigje.

Për të kuptuar, keni marrë përgjigje refuzuese nga institucionet, apo asnjë llojë përgjigje?

Gjergji: Kemi marrë përgjigje që nuk kanë depozita për të bërë më shumë, që do të thotë se ne po rrimë si në hije dhe nuk arrijmë të ndihmohemi nga askush. Pasi ata ndërhyjnë me fuqinë e tyre që kanë, që ne të jemi brenda ligjit dhe jo jashtë ligjit, por që po pengohen nga kryetari i AKSHE-s.

Ju çfarë rrezikoni nëse do të zgjatet më shumë kjo situatë? Çfarë dëme i vijnë fabrikës tuaj, veç punëtorëve që tashmë janë të papunë dhe kontratave që tashmë janë anuluar? Keni kontrata të tjera që janë pending (në pritje)…

Gjergji: Ka edhe kontrata të tjera të tilla. Dhe ne po rrezikojmë jashtë mase shumë, madje po shkojmë drejtë falimentimit kolosal. Plus më tepër, edhe kontratat që janë bërë me firma të tjera eksportuese ne kemi penalitete pasi nuk është arritur të bëjmë dot produktin gati.

Ne do të shkojmë në instancat më të larta që ekzistojnë, sepse ne po shkojmë drejt fundit dhe nuk kemi çfarë të humbim më.