Korçë, skamja e 54-vjeçarit, në kasolle me mushama dhe 1700 lekë në muaj

Dimri i ashpër dhe dëbora nuk sjellin vetëm vizitorë në Korçë. Bashke me to, sjell edhe shtim të vuajtjeve dhe pamundësisë për të siguruar jetesën e personave pa përkrahje dhe në pamundësi reale për të përballuar jetesën.

 Në një cep të qytetit juglindor, në një kasolle me dru dhe të rrethuar me mushama, jeton 54 vjeçari Dionis Tomorri. I vetmuar pasvdekjes së bashkëshortes dhe martesës së vajzës, ai mbijeton me 17 mijë lekë të vjetra asistencë, dhe ato pak të ardhura që siguron duke carë dru ose duke pastruar oborret e komshinjve.

Blerja e druve për t’u ngrohur për të është luks, ndërsa nuk ka as ujë për të pirë dhe për t’u larë. “Kam 5 vjet që jetoj i vetëm, në kushte të tilla, të vështira, dhe tani është shumë ftohtë”, thotë ai për mediat.

Kërkesat e tij ndaj pushtetit lokal nuk kanë munguar, por gjetja e 1 dhomë për të, ku të jetojë si njeri, duket ende e pamundur. “Kërkoj një dhomë, ku të lahem, dhe të takoj vajzën pas 4 viteve”, thotë 54-vjeçari. 

Edhe pse deklaron se është invalid, ai nuk përfiton pagesë invaliditeti, pasi sipas tij nuk arrin kriteret ligjore, dhe ilaçet i merr çfarë i japin farmacistët.

Ndërkohë, në Korçë nuk ka një qendër sociale ku njerëz si Dionisi të konsumojnë të paktën një vakt, bukë të ngrohtë edhe pse numri i personave në këtë gjendje nuk është i vogël.