Konflikti i sotëm tek shkolla “Çajupi”/ Policia njoftim zyrtar: Sekuestrohet një armë zjarri, 5 të shoqëruar

Policia e Tiranës ka dhënë informacion zyrtar për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm, pranë shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet. Policia ka shoqëruar për konfliktin, ku mbeti i plagosur me sende të forta një 32-vjeçar, pesë persona.

Pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Kongresi i Manastirit” ishin duke u konfliktuar dyshohet me sende të forta 6 persona, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat ishin në patrullim dhe kanë ndërhyrë menjëherë. Më pas në ndihmë të tyre kanë ardhur shërbimet e Patrullës së Përgjithshme dhe Forcat “Shqiponjat” të cilët kanë bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe shoqërimin e 5 shtetasve të dyshuar si pjesëmarrës në konflikt, për veprime të mëtejshme.

Si pasojë e konfliktit janë dëmtuar lehtë disa shtetas, ku njëri prej tyre shtetasi E. K. 32 vjeç, ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore, i dëmtuar me sende të forta.

Në vendngjarje është sekuestruar një armë zjarri pistoletë, ku po kryhen veprimet përkatëse për të mësuar kujt i përket nga të shoqëruarve.
Sqarojmë se nuk ka persona të lënduar nga përdorimi i armës së zjarrit.

Vijon puna nga Grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj.