Konfindustria kërkesë kryeministrit Rama: Të riformatohet Qeveria, duke krijuar si portofol të veçantë Ministrinë e Energjisë

Duke marrë shkas nga situata e krijuar me krizën energjetike e cila pritet të sjellë një rritje të madhe çmimesh, Konfindustria kërkon nga Kryeministri Rama që një prej masave të menjëhershme të jetë ...
Konfindustria kërkesë kryeministrit Rama: Të riformatohet Qeveria, duke krijuar si portofol të veçantë Ministrinë e Energjisë
Foto: Konfindustria kërkesë kryeministrit Rama: Të riformatohet Qeveria, duke krijuar si portofol të veçantë Ministrinë e Energjisë

Duke marrë shkas nga situata e krijuar me krizën energjetike e cila pritet të sjellë një rritje të madhe çmimesh, Konfindustria kërkon nga Kryeministri Rama që një prej masave të menjëhershme të jetë riformatimi i Qeverisë me një portofol të veçantë për energjinë.

‘Konfindustria i kërkon Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, të riformatojë Qeverinë e krijuar pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, duke rikrijuar si portofol të veçantë Ministrinë e Energjisë. Kërkesa vjen, duke pasur parasysh shpalljen nga Kryeministri të rrezikut të krizës energjetike në vend.

Konfindustria vlerëson, se veprimi i parë  i shprehjes së përgjegjësisë qeveritare për përballjen me krizën e sotme, zbulimin dhe luftën e shkaqeve të krijimit të saj me qëllim mos përsëritjen në të ardhmen, duhet të jetë krijimi i Ministrisë së Energjisë’, thuhet në deklaratën e Konfindustria-s.

Sipas tyre Ministria e Energjetikës mungon si portofol i veçantë duke e lënë të përfaqësuar vetëm si shtojcë të Ministrisë së Infrastrukturës, sektorin strategjik të energjisë dhe karburanteve.

‘Një pjesë e rëndësishme e arsyeve të krizës energjetike të sotme vjen nga politikat e gabuara,  menaxhimi i dobët, pasojë edhe e mospërfaqësimit të duhur qeveritar. Disa projekte dhe arritje pozitive, në prodhimin dhe përmirësimin e menaxhimit të sektorit te energjetik gjatë mandatit të parë, u ndërprenë në vazhdim’, thuhet me tej ne deklarate.

Konfindustria vlerëson, se Shqipëria, me sistemin e prodhimit të plotë të energjisë elektrike nga burimet ujore, nëse do të kishte politika dhe menaxhim profesional dhe të pakorruptuar, jo vetëm nuk duhet të ishte prekur nga kriza e sotme e tregjeve ndërkombëtare, por edhe duhet të kishte përfituar epërsi konkurruese ekonomike në rajon.

‘I njëjti arsyetim vlen edhe për tregun strategjik të prodhimit dhe tregtimit të hidrokarbureve. Shqipëria, megjithëse zotëron fushën kontinentale më të madhe naftëmbajtëse në Evropë, jo vetëm nuk përfiton, por ka çmimet e karburanteve nga më të shtrenjtat dhe cilësi më të dobët në nivel botëror si pasojë e tregut oligopol, mungesës së kontrollit shtetëror dhe korrupsionit ‘kapjes së shtetit/state capture’.

Kërkesa për krijimin e Ministrisë së Energjisë është pjesë e paketës, që Konfindustria ka përgatitur për përballimin e krizës energjetike të sotme dhe përmirësimin thelbësor të politikave në tregun strategjik të prodhimit dhe tregtimit të karburanteve dhe energjisë elektrike në vend. Paketa do ti paraqitet zyrtarisht ekzekutivit dhe vendimmarrjes politike në Kuvendin e Shqipërisë’, përfundon deklarata e Konfindustria.