Kompanitë publike dhanë kontributin kryesor në rritjen e kredisë për nëntorin 2021

Kredia për kompanitë publike ka arritur nivelin më të lartë në më shumë se një vit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit nëntor portofoli i huasë arriti në 16.45 miliardë lekë, me një rritje prej 7.2% me bazë vjetore. Kjo shifër përfaqëson nivelin më të lartë që prej shtatorit 2020. Gjithashtu, kompanitë publike kanë dhënë kontributin kryesor në rritjen e portofolit të kredisë për ekonominë gjatë muajit nëntor. Nga 6.6 miliardë lekë që u shtesa e portofolit të kredisë, rreth 3.1 miliardë lekë erdhën nga kompanitë publike, 2.2 miliardë lekë nga kompanitë private dhe 1.3 miliardë lekë nga tregu i kredisë për individë.

Rritja e kreditimit të kompanive publike erdhi kryesisht nga nevojat e operatorëve të sektorit energjetik për të siguruar financime me qëllim blerjen e energjisë elektrike. Kreditë e reja për korporatat publike arritën në pothuajse 3.7 miliardë lekë për nëntorin, me një rritje pothuajse 30 herë krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Në muajin nëntor, qeveria shqiptare mbështeti me garanci sovrane Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për të përfituar një kredi prej 30 milionë eurosh pranë dy bankave tregtare në vend. Impakti në rritjen e huasë së kompanive publike ka ardhur kryesisht prej dy kredive në fjalë. Sipas burimeve nga sektori bankar, mbështetja e kompanive të sektorit energjetik me hua ka vijuar edhe gjatë muajit dhjetor.

Rritja e fortë e çmimeve të energjisë elektrike në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ka vënë në vështirësi kompanitë e sektorit energjetik, që për të përballuar koston e lartë të importeve janë mbështetur me linja financimi direkte nga qeveria, por edhe me garanci për sigurimin e huave bankare. Rritja e kërkesës për kredi nga kompanitë publike duket se po ndihmon në alokimin e një pjese të likuiditeteve të lira të bankave tregtare në valutë të huaj. Për më tepër, dhënia e garancisë sovrane nga qeveria shqiptare ka mundësuar zbutjen e rrezikut dhe norma të ulëta interesi. Për muajin nëntor, interesi mesatar i huave të reja në euro të kompanive publike ishte 2.24%, niveli më i ulët që nga maji i vitit 2016. Përveçse nga garancia sovrane e qeverisë shqiptare, interesi i ulët u ndikua edhe nga vendimi i Bankës së Shqipërisë për të mos kërkuar mbulimin me kapital për kreditë në fjalë, duke i ponderuar me koeficient zero për efekt të llogaritjes së treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Huamarrja në euro nga sektori bankar ka ndihmuar edhe në zbutjen e presioneve nënçmuese në kursin e këmbimit të monedhës vendase me euron.

Vitin e kaluar, OSHEE siguroi gjithashtu një kredi prej 70 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), edhe kjo e garantuar nga qeveria shqiptare. Në pjesën më të madhe, edhe kredia e BERZH do të përdoret për nevoja likuiditeti të kompanisë./Monitor