Komisioni i Ligjeve mblidhet ‘online’, deputetët e opozitës futen në sallë, Bardhi debat me Bushkën

Komisioni i Ligjeve nuk ka mundur të mbajë dot punimet e para për shkak të përplasjeve mazhorancë-opozitë. Klotilda Bushka njoftoi nisjen e mbledhjes online, por deputetët e PD u futën në sallë.

Bushka i bëri me dije deputetëve opozitarë që të logohen online sipas vendimit, por këta të fundit kundërshtuan.

“Sipas njoftimit nga Sekretaria e Komisionit, të gjithë anëtarët janë lajmëruar për organizimin e kësaj mbledhjeje online. Të pranishëm janë këta kolegë. Po i marr me radhë sipas ekranit. Damian Gjiknuri, Alqi Bllako, Pëllumbi, Kollcaku, Deliu, Ndreca, Valikaj, Duraku, Celiku, Cyrbja, Xhoxhi, Hasalla dhe Gogu. Unë sipas rregullores drejtoj mbledhjen nga salla. Këtu kanë urdhëruar deputetët të PD që janë dhe anëtarë, janë të pranishëm, ju uroj mirëseardhjen, pavarësisht se kjo mbledhje është sipas vendimit të Konferencës së Kryetarëve të bëhet online. Ju lutem, për të respektuar vendimin logoheni online që të merrni pjesë.”- tha Bushka.

Gazment Bardhi i ka kërkuar fjalën kryetares së Komisionit duke e akuzuar se nuk i jep fjalën opozitës.

“Nuk na e cakton ti. Duam fjalën, jemi prezent. Ti je prezent në sallë, ne jemi prezent në sallë, na jep fjalën. Nuk na i cakton ti ku logohemi dhe ku punojmë ne. A ka mundësi të na e japësh fjalën? Nuk mund ti mohosh deputetëve të drejtën e fjalës.”- tha Bardhi.

Për sot janë parashikuar edhe tre mbledhje Komisionesh të tjera që PD ka paralajmëruar se edhe aty deputetët e saj do të jenë të pranishëm.

https://www.facebook.com/watch/?v=599272744451167