Kombëtarja U-15/ Miqësoret me Maqedoninë e Veriut, trajneri Dama: Lojtarët të motivuar & të përgjegjshëm, kompletojmë grupin

Kombëtarja shqiptare U-15 ka nisur që prej ditës së diel grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të dy sfidave miqësore kundër Maqedonisë së Veriut, që do të luhen më 7 dhe 9 qershor. Kuqezinjtë e drej...
Kombëtarja U-15/ Miqësoret me Maqedoninë e Veriut, trajneri Dama: Lojtarët të motivuar & të përgjegjshëm, kompletojmë grupin
Foto: Kombëtarja U-15/ Miqësoret me Maqedoninë e Veriut, trajneri Dama: Lojtarët të motivuar & të përgjegjshëm, kompletojmë grupin

Kombëtarja shqiptare U-15 ka nisur që prej ditës së diel grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të dy sfidave miqësore kundër Maqedonisë së Veriut, që do të luhen më 7 dhe 9 qershor. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama janë grumbulluar në Pogradec, teksa sfida e parë do të luhet në Ohër, ndërsa më pas do të vijojnë përgatitjet në Elbasan, me miqësoren e dytë të 9 qershor që do të zhvillohet në stadiumin ‘Elbasan Arena’.

Përgatitjet për këto dy ndeshje të rëndësishme po shkojnë shumë mirë, teksa këtë e konfirmon edhe trajneri Dama një prononcim për Fshf.org, i cili nënvizoi se grupi i lojtarëve të grumbulluar është shumë i mirë dhe mjaft i motivuar për takimet ndaj Maqedonisë së Veriut. Më tej, trajneri shqiptar thekson edhe rëndësinë e këtyre dy miqësoreve, ndërsa nënvizon se disa lojtarë nuk janë bërë pjesë e këtij grumbullimi për shkak të moslejimit nga klubet.

Ndër të tjera, trajneri Dama thotë se për skuadrën është shumë e rëndësishme të prodhojë një lojë të bukur, por edhe të fitojë, ndërsa nënvizon edhe programin e Kombëtares U-15 në vijim.

Si po shkojnë përgatitjet me ekipin kombëtar U-15 dhe rëndësia e këtyre dy miqësoreve – Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Na mungojnë 2-3 lojtarë që i prisnim në këtë grumbullim, por kemi një grup lojtarësh të mirë, të motivuar dhe shumë të përgjegjshëm. Kemi bërë një turne pak javë më parë në Bosnje – Hercegovinë, kemi përzgjedhur një pjesë të mirë të grupit.

Këto dy ndeshje kundër Maqedonisë së Veriut na shërbejnë shumë për të kompletuar grupin me lojtarë të kësaj moshe. Kemi disa lojtarë të tjerë që nuk janë lejuar nga klubet për të qenë pjesë e Kombëtares, por që shpresojmë të jenë në grumbullimin e radhës. Besoj se në muajin shtator do të kemi të plotë ekipin U-15 me futbollistët më të mirë të mundshëm shqiptarë të kësaj grupmoshe.

Fitorja apo loja e bukur, kush është më e rëndësishme për ekipin? – Tendencat janë për të fituar ndeshjen. Ne do të hymë në fushë për t’i fituar këto ndeshje, si edhe të prodhojmë një futboll të mirë dhe të bukur. Gjithashtu, i shohim këto dy miqësore si mjaft të vlefshme për të pikasur individë që do të na shërbejnë në të ardhmen. Megjithatë, edhe fitorja është pjesë e lojës.

Programi në vijim i Kombëtares U-15 – Pas këtyre dy ndeshjeve do të fokusohemi të seleksionimet dhe grumbullimet kryesisht me lojtarë të kësaj grupmoshe që luajnë në kampionatin vendas. Ndërkaq, për lojtarët që luajnë jashtë vendit e kemi një pasqyrë më të qartë nga turneu në Bosnje – Hercegovinë, si edhe nga këto dy miqësore kundër Maqedonisë së Veriut.