Udhëheqësit e 57 vendeve arabe dhe myslimane u takuan në Riad për një takim urgjent mbi bombardimet e Izraelit në Gaza.
Komunikata përfundimtare e lëshuar nga ky samit i thirrur me nxitim i 57 vendeve arabe dhe islamike ishte unanim në thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.
Mikpritësit, Arabia Saudite, akuzuan komunitetin ndërkombëtar për standarde të dyfishta. Ministri i Jashtëm saudit tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij duke mos i kërkuar llogari Izraelit për veprimet e tij në Gaza.
Kreu i Ligës Arabe tha se shpreson që Perëndimi do t’i vërë veshin mesazhit që vjen nga një e katërta e anëtarësimit në OKB.
Irani dhe Siria donin të shkonin më tej, duke kërkuar veprime konkrete si ndërprerja e marrëdhënieve midis Izraelit dhe disa vendeve të rajonit. Diçka e tillë u refuzua.
Në bisedat private në margjina, një numër ministrash arabë më treguan për frikën e tyre se numri i lartë i vdekjeve në mesin e civilëve palestinezë në Gaza po radikalizonte tashmë disa nga të rinjtë e tyre.
Ata folën gjithashtu për zhgënjimin e tyre me aleatët e tyre perëndimorë, duke vënë në dukje dënimin e Perëndimit për veprimet e Rusisë në Ukrainë, ndërkohë që në masë të madhe nuk arriti të bëjë të njëjtën gjë me Izraelin për Gazën.
Udhëheqësit arabë dhe myslimanë kërkuan një rezolutë “detyruese” të OKB-së për t’i dhënë fund “agresionit” të Izraelit në Gaza.
Në një komunikatë përfundimtare pas samitit të vendeve arabe dhe islamike në Arabinë Saudite, liderët hodhën poshtë pretendimet e Izraelit për “vetëmbrojtje” si justifikim për operacionin e tij ushtarak dhe bombardimin ajror të Gazës.
Pesëdhjetë e shtatë liderë – veçanërisht duke përfshirë Bashar al-Assad të Sirisë dhe Ebrahim Raisi të Iranit – ishin mbledhur në Riad më herët sot për të diskutuar bombardimin e Izraelit në enklavën e rrethuar palestineze.