Kokalarit nuk i del inati me Berishën: Kur ke një biznes dhe gabon, fajtori është pronari

Evi Kokalari bën fajtor Sali Berishën për mënyrën si u zhvillua gara për kreun e forumit rinor të PD. Në një studio televizive Kokalari tha se do të takohet me Berishën gjatë qëndrimit në Tiranë.

Jam zhgënjyer me faktin që Berisha nuk ka marrë masat për të parandaluar dhe nuk mundi ta ndalonte. Do e takoj Berishën. Kam ardhur për çështje personale. Nuk ka rëndësi je me Berishën apo jo. Kur ke një biznes dhe gabon, fajtori është pronari. Jam acaruar gjatë garës së forumit rinor me njerëz që e dija çfarë bënin.

Kokalari tha se e konsideron të përmbushur misionin e vet me largimin e Lulzim Bashës.

Unë po kthehem, nuk kam ikur. Misioni im aq ishte. Lul Basha iku, erdhi Sali Berisha. Çfarë pashë pas ardhjes së Komisionit të Rithemelimit është tjetër gjë. Unë kam thënë jo për anëtarësimin në Këshillin Kombëtar. Por unë kam një jetë në Amerikë.

Kur erdha, më identifikuan me Sali Berishën. Nuk kam ikur asnjëherë. Dihej që as nuk do rrija, as të bëhesha pjesë e kryesisë. Rrugës kuptova se po bëheshin gjëra, që Berisha i dinte, dhe që mua më kanë acaruar.