Kokaina nuk u konsumua në Bulqizë : Prokuroria dyshon sërish

Paraditën e sotme Kryebashkiaku socialist i Bulqizës Lefter Alla, u paraqit sërish në Prokurorinë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku ka dhënë sqarime më të detajuara në lidhje me videon e publikuar ku ilustrohet se po konsumonte kokainë.

Ndërkohë, Alla ka sqaruar përpara prokurorit Eneid Nakuçi, se nuk i kujtohet se ku ka qënë në periudhën në të cilën është regjistruar videoja, dhe se kur ka qenë në atë lokal.

Po ashtu, kryebashkiaku i Bulqizës mësohet të jetë shprehur se videoja e publikuar i përket kohës para se ai të merrte mandatin e qytetarit të parë të Bulqizës.

Ai është shprehur se nuk është përdorues i lëndëve narkotike, dhe se nuk ka arsye që ti nënshtrohet testit të drogës. Sipas ligjeve në fuqi duke qenë se Alla nuk është kapur në kushtet e flagrancës, pra është e drejta e tij të vendosë nëse do ti nënshtrohet ose jo testit të drogës.

Ndërkohë avokati i tij është shprehur se video është e paqartë dhe nuk kuptohet se kush është personi në videon e publikuar.

Burime pranë grupit hetimor kanë bërë me dije se kanë nisur hetimet për të bërë të mundur identifikimin e personave të pranishëm në video, dhe lokalin ku pretendohet që ka ndodhur ngjarja.

Ndërsa prokuroria ka dyshime se bëhet fjalë, për një lokal në kryeqytet ku Alla ka qenë në shoqërinë e disa personave të tjerë.

Prokuroria e posaçme ka marrë gjithashtu edhe dëshmin e gazetarit Artan Hoxha, i cili publikoi videon.

Gjithashtu, Hoxha u shpreh se do të bashkëpunonte me prokurorinë për çdo rast, nëse prokurorëve do u duhej ndihma e tij./apel.media