Ndryshime në Kodin Rrugor/ Propozimi i Ballës: Të rritet deri në 15 vjet vlefshmëria e patentave

Patentat për drejtuesit e mjeteve të jenë 15-vjeçare. Kështu ka propozuar kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili kërkon disa ndryshime në Kodin Rrugor. Në draftin e ...
Ndryshime në Kodin Rrugor/ Propozimi i Ballës: Të rritet deri në 15 vjet vlefshmëria e patentave
Foto: Ndryshime në Kodin Rrugor/ Propozimi i Ballës: Të rritet deri në 15 vjet vlefshmëria e patentave

Patentat për drejtuesit e mjeteve të jenë 15-vjeçare. Kështu ka propozuar kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili kërkon disa ndryshime në Kodin Rrugor. Në draftin e paraqitur në Kuvend dhe që pritet të shqyrtohet nga komisionet parlamentare, parashikohet që shoferët deri në 70 vjeç, do të kenë patentë me vlefshmëri 5 vjet më shumë se ajo aktualja.

“Lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grup moshave, janë të vlefshme për: 15 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç. Për personat mbi 70 vjeç konfirmimi i vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore të përmendura në pikën 2 të nenit 117, jo më shumë se gjashtë muaj përpara, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara”, thuhet në draftin e propozuar nga kreu i grupit të PS-së.

Kodi Rrugor kërkon 84 vota për tu miratuar. PS dhe PSD kanë në Kuvend 77 vota, çka do të thotë se do të duhen edhe shtatë vota nga e djathta që ndryshimet ligjore të hyjnë në fuqi.

Neni 124 pika 1 është

Lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grup moshave, janë të vlefshme për:

– 10 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për personat deri në moshën 50 vjeç;

– 5 vjet, për ata që kanë kaluar moshën 50 vjeç

– 3 vjet, për ata që kanë kaluar të 70-tat.

Neni 124 pika 1 propozohet të bëhet

Lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grup moshave, janë të vlefshme për:

– 15 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç;

– Për personat mbi 70 vjeç konfirmimi I vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore të përmendura në pikën 2 të nenit 117, jo më shumë se gjashtë muaj përpara, nga e cila të rezultojë që zotëruesi I kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara.