Koçiu i dorëzon Kartën e Autonomisë Menaxheriale QSUNT-së dhe katër Spitaleve Rajonale: Standarde më të larta për qytetarët, kushte e paga më të mira për mjekët

Koçiu i dorëzon Kartën e Autonomisë Menaxheriale QSUNT-së dhe katër Spitaleve Rajonale: Standarde më të larta për qytetarët, kushte e paga më të mira për mjekët

Pas Spitalit Rajonal “Memorial” në Fieri, edhe pesë spitale të tjera në vend kanë përfituar Kartën e Autonomisë Menaxheriale. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u ka dorëzuar sot Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitalit Rajonal Durrës, Spitalit Rajonal Shkodër, Spitalit Rajonal Lezhë dhe Spitalit Rajonal Vlorë, Kartën e Autonomisë Menaxheriale.
Ministrja e Shëndetësisë, Koçiu theksoi se pas 10 vitesh transformimi të pandërprerë në strukturat spitalore tshmë po synohet në objektiva shumë më ambiciozë siç është autonomia, e cila sjell modelin e menaxhimit europian në qendrat tona spitalore.
“Pas një procesi të gjatë, pesë qendra spitalore kanë përmbushur kriteret e Kartës së Autonomisë Menaxheriale. Nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse për të ardhur deri këtu, QSUNT dhe Spitalet Rajonalë të Shkodrës, Lezhës, Durrësit dhe Vlorës kanë përgatitur objektiva të qarta zhvillimi, plane të detajuara pune, strategji të qartë të menaxhimit të burimeve njerëzore, protokolle, udhërrëfyes, indikatorë performance, etj”, u shpreh Koçiu.
Ajo u shpreh se me dorëzimin e Kartës së Autonomisë Menaxheriale, të gjithë këto qendra spitalore do mund të ofrojnë standarte më të larta për qytetarët, kushte dhe paga më të mira për mjekët dhe progres e modernizim të sektorit.
Ministrja nënvizoi se hap pas hapi, objektivi ynë është që deri në 2027 të kemi 17 qendra spitalore, pra 17 modele ekselence që do të vetmanaxhohen në të gjithë vendin.
“Autonomia është një mekanizëm i cili ka filluar të aplikohet prej më pak se një viti, gradualisht do të krijojë mundësinë që në sistemin tonë shëndetësor të ketë paga edhe më të larta për mjekët që sigurisht janë të lidhur me performancat e tyre.  Ky është një proces që do të thellojë më tej meritokracinë, duke krijuar mundësinë për mjekët dhe hapësira më të mëdhaja për të punuar dhe angazhuar brenda struktura të tyre shëndetësore.  Përfitimet shtesë që gjeneron autonomia spitalore, ecin paralel dhe nuk i mbivendosen programit tonë për rritjen e mëtejshme të pagave, program nga i cili pas rritjes më të madhe historike të ndodhur në 2023-shin, do të vijojë këtë vit me një rritje të mëtejshme për mjekët dhe infermierët”, deklaroi Koçiu.
Sipas saj, thelbësor në këtë hap të ri është ndarja e plotë dhe e thellë konceptuale me të shkuarën, ku vendimet ishin të përqendruar brenda zyrave të Ministrisë. 
Koçiu u shpreh se është krijuar një strukturë e dedikuar në MSHMS e cila do të monitorojë dhe mbikqyrë këtë proces për të garantuar efiçencën e tij maksimale.
“Mbështetja nga ana jonë do të jetë edhe më e madhe nga sa ka qenë deri tani, por në spitalet autonome, ajo që ne presim është që propozimet dhe zgjidhjet të vijnë gjithmonë e më shumë nga poshtë lart dhe shumë më pak nga lartë poshtë.
Ministrja Koçiu tha se “spitalet tona nuk do të jenë thjesht struktura që ofrojnë shërbim shëndetësor, por operatorë të vërtetë ekonomikë që konkurrojnë me njëri-tjetrin, ndërveprojnë në treg dhe ofrojnë modele më të shumta ekselence”.
“Produkti final i kësaj rruge do të jetë më shumë llogaridhënie, më shumë transparencë, më shumë mekanizma kontrolli të brendshëm. Do të jetë gjithashtu më shumë mbulim cilësor universal, reduktim kostosh dhe rritje e aksesit pranë vendbanimit për qytetarët”, deklaroi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Me marrjen e Kartës për vetëmenaxhim, të pesë spitalet publike do të vetë-administrohen për nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare; organizim dhe menaxhim të burimeve njerëzore, administrim të shërbimeve spitalore dhe jospitalore si dhe organizimin e praktikës së dyfishtë.