Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka nisur Kuvendit të Shqipërisë, listën me renditjen e kandidatëve në garën për Prokuror të Përgjithshëm.
Sipas shkresës zyrtare, KLP ka renditur të parin Olsian Çelën, e dyta Arta Marku dhe e treta Fatjona Memçaj.
“Në mbështetje të nenit 148/a pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, ligjit nr .97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”; Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në mbledhjen e tij të datës 14.11.2019 ka miratuar vendimin nr.236 “Për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”. Me mbarimin e afatit të ankimimit më datë 21.11.2019, rezultoi se asnjë nga kandidatët në këtë proces nuk ka ushtruar të drejtën e ankimit.
Për sa më sipër në bazë të nenit 34 dhe 35, të ligjit nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe tё nenit 21 pika 6 të Rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”; bashkëlidhur Ju përcjellim vendimin nr.236 datë 14.11.2019 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe relacionin shpjegues, si pjesë përbërëse të tij”,- shkruhet në njoftimin e KLP-së./apel.media