Klodian Tomorri: Shefat e Bankers ndanë 500 mijë USD bonuse nga paratë e garancisë sovrane

Nga Klodian Tomorri

Shefat e Bankers ndanë 500 mijë USD bonuse nga paratë e garancisë sovrane

Në 24 prill të këtij viti Bankers Petroleum bëri zyrtarisht kërkesë pranë një banke të nivelit të dytë për të përfituar nga garancia sovrane e qeverisë. Kërkesa u pranua dhe në maj kompania, e cila shfrytëzon vendburimin e Patos Marinzës, përfitoi rreth 2 milione dollarë kredi të garantuar nga buxheti i shtetit. Sipas kushteve, huaja u lëvrua me 3 muaj “grace period” dhe me normë interesi zero për kompaninë, pasi interesat e kredisë i paguan qeveria.

Garancia e parë sovrane ishte instrumenti kryesor përmes të cilit qeveria ndihmoi biznesin gjatë muajve të karantinës. Kjo garanci u lëshua vetëm me një destinacion përdorimi, pra që bizneset të paguanin pagat e punonjësve të tyre. Por çfarë ka ndodhur?

Në 17 korrik, kur sapo kishte përfituar kredië e garantuar nga qeveria dhe ishte ende në periudhën 3 mujore të faljes (“grace period”), Bankers Petroleum ka shpërndarë bonuse për stafin drejtues dhe punonjësit. Si rezultat, 3 drejtuesit më të mëdhenj të kompanisë, drejtori ekzekutiv, shefi i financave dhe ai operacional, ndanë vetëm për veten e tyre 530 mijë dollare shpërblime.

Më konkretisht, drejtori ekzekutiv Xingyun Sun përfitoi 308 mijë dollarë shpërblim, ndërsa shefi i financave dhe drejtori i operacioneve, edhe këta të dy shtetas kinezë, përfituan nga 114 mijë dollarë shpërblim secili.

Shpërndarja e shpërblimeve marramendëse në kohë pandemie është një rast i jashtëzakonshëm. Aq më tepër kur këto para financohen drejtëpërdrejtë nga taksapaguesit e varfër shqiptare. Interesi i huasë së garancisë sovrane për pagat, mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit, rrjedhimisht në rastin konkret, qytetarët shqiptarë paguajnë interes për shpërblimet e majme që kanë përfituar drejtuesit e huaj të Bankers.

Shpërndarja e bonuseve milionerë nga Bankers ngjason me atë që ndodhi para disa vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku drejtuesit e bankave në Wall Street, pasi morën para nga qeveria dhe taksapaguesit amerikanë, shpërndanë qindra milionë dollarë si shpërblime për veten e tyre. Por në rastin e Bankers ka dhe një veçori tjetër.

Nëse kompania falimenton deri në fund të vitit, atëherë veç interesave, taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë, jo vetëm interesat, por edhe 100 për qind të kredisë së Bankers dhe bonuseve të majmë që morën shefat e saj. Ky është risku tjetër i madh, dhe që ka probabilitet të lartë të ndodhë. Në fund të vitit 2018, KPMG ka shkruar në raportin e auditimit të pavarur se vazhdimësia e Bankers është në rrezik për shkak se kompania ka mungesë kapitali në masën 370 milionë dollarë. Që nga ajo kohë, dokumentat tregojnë se gjendja financiare e Bankers është renduar edhe më shumë.

Madje, pak javë përpara se shefat të shpërndanin bonuset e majme për veten e tyre, në prill të këtij viti, Bankers Petroleum shpalli forcën madhore duke deklaruar se ishte në vështirësi financiare dhe nuk mund të shlyente dot asnjë detyrim financiar. Vendimi ju komunikua Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, dhe si pasojë e tij, në datën 10 prill kompania nxorri një urdhër për të reduktuar rrogat e punonjësve, por vetëm atyre shqiptarë, në 30 mijë lekë.

Tentativa për të ulur rrogat në menyrë diskriminuese dështoi, pas protestave të punonjësve dhe sigurimit të kredisë nga garancia qeveritare. Por shpërndarja e bonuseve të majmë me parate e qeverisë ngre disa pyetje shqetësuese. Si po menaxhohet pasuria më e madhe publike e shqiptarëve, vendburimi i Patos Marinzës? Çfarë janë duke bërë autoritetet për të mbrojtur interesin publik dhe qytetarët shqiptarë nga fatura marramendëse që mund të vijë nga rrënimi i Patos Marinzës?