Kryepeshkopi, Anastas Janullatos ia ka dalë të fitojë betejën e vështirë me Covid-19.
91-vjeçari ka lënë spitalin teksa gjendet në shtëpinë e tij në Athinë i karantinuar për të vijuar fazën e rehabilitimit.
Në një status në rrjetet sociale, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka treguar për gjendjen e Janullatos.
Statusi i plotë:
“Shëndeti i Kryepiskopit Anastas është përmirësuar.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastasi, vazhdon të jetë i karantinuar në shtëpi në Athinë. Analizat e tij mikrobiologjike dolën shkëlqyer. Me kalimin e kohës pritet edhe rikthimi i plotë i shëndetit të tij.
Falënderojmë për interesimin e vazhdueshëm të miqve të shumtë, “duke u gëzuar në shpresë, duke duruar në shtrëngime, duke këmbëngulur në lutje”.”
Janullatos u prek nga virusi Covid-19 në 11 nëntor dhe një avion ushtarak grek mbërriti në Tiranë për ta transportuar atë drejt Athinës. Ai qëndroi nën kujdesin e mjekëve për 11 ditë ndërsa doli nga spitali pasi u tha se arriti ta mposhtë virusin.