Kërkesa të shumta për IT, globalizimi i teknologjisë një nga shkaqet e kërkesës së lartë

Close up shot of a young software developer, programmer working at his desk

IT po bëhet Call centeri i ri. Si po e përballojnë sipërmarrjet kryesore në vend të Teknologjisë së Informacionit fluksin e lartë të kërkesës për punonjës IT, për shkak të ndryshimeve globale në teknologji dhe pandemisë?

Pas përfundimit të studimeve bachelor në degën e inxhinierisë elektronike, Inesa Duro nisi të kërkojë një punë për të praktikuar profesionin. Pas shumë email-eve të dërguara në kompani të ndryshme, studentja e sapodiplomuar rrëfen se mori një përgjigje pozitive për t’u bërë pjesë e akademisë private për trajnime profesionale në IT.

Në fillim, nuk e dija si do të funksiononte. Ishte hera e parë që dëgjoja për një trajnim të tillë. Emocionet u shtuan kur u njoftova se do të trajnoheshim nga profesorë ndërkombëtarë me përvojë në Salesforce. Në ditët në vazhdim, përvoja në akademi rezultoi e suksesshme dhe kam mësuar se çfarë është dhe si funksionon Salesforce, një mjet që po përdoret gjerësisht në mbarë botën. Kam mësuar të programoj në apex dhe lightning component. Krijova përvojën e parë të punës, duke marrë shumë njohuri dhe duke bashkëpunuar me kolegët”, tregon Inesa Duro, studente e akademisë SIA (Stanford Innovation Academy) e krijuar nga kompania “DOT BALKANS” për ofrimin e shërbimeve në IT.

Të njëjtën përvojë ndan edhe Xhoina Karaj, studente në degën e informatikës. “E nisa këtë trajnim pa ditur asgjë rreth Salesforce, veç pak gjëra të përgjithshme që kisha lexuar në web, dhe me një pikëpyetje të madhe: A ishte diçka që do t’ia vlente?

Përvoja, jo vetëm që ia vlente, por falë saj, kam një qëllim plus në jetë: të bëhem një salesforce developer, pasi të mësuarit rreth Salesforce më ndihmoi të kuptoj se kam zgjedhur atë që vërtet më pëlqen dhe të luftoj më shumë për dëshirën time për t’u bërë një programuese e denjë”, pohon Xhoina Karaj, një ndër studentet e para të akademisë për përgatitjen e profesionistëve IT.

Novacionet botërore në teknologji dhe pandemia kanë ndikuar drejtpërdrejt te rritja e lartë e kërkesës për punësimin në sektorin e IT-së. Në Shqipëri, kërkesa për profesionistë IT është më e lartë se oferta e tregut. Fenomeni është i pranishëm edhe në tregun e huaj, por në vend, duke qenë se sektori i IT është në zhvillim, rregullat për rekrutimin e të rinjve janë më të ashpra, ku disa kompani joshin me paga të larta lëvizjen e punonjësve nga vendet ku punojnë.

Në kushtet kur kërkesa është më e lartë në raport me tregun dhe cilësia e studentëve të sapodiplomuar ka nevojë për më tepër aftësim, për të plotësuar boshllëkun për punësimin e punonjësve të rinj, disa sipërmarrje kanë ngritur shkolla profesionale, apo siç njihen ndryshe akademi, që shërbejnë në përgatitjen profesionale të punonjësve të IT-së. Ngritja e shkollave profesionale vlerësohet pozitivisht nga përfaqësuesit e sektorit, pasi ndikon te rritja e cilësisë së punonjësve. Universitetet shtetërore thonë se kjo do të rrisë kostot për studentët, nëpërmjet tarifave që do të paguajnë për ndjekjen e akademive.

Edlira Nikaj, administratore e kompanisë “DOT BALKANS”, tha se pas pandemisë dhe lockdown në këtë periudhë, në shumë shtete të botës, në 2021 ka një bum të përdorimit të teknologjive të reja informatike, si për aplikacionet e shitblerjeve online, të kontrollit shëndetësor në mënyrë informatike dhe të aplikacioneve për lojëra virtuale. Sipas znj. Nikaj, kjo ka rritur jashtëzakonisht kërkesën për developer (zhvillues) në mbarë botën, por edhe në Shqipëri.

“Efekti i menjëhershëm i kërkesës për profesionistë në këtë fushë lindi nevojën për trajnime/certifikime në vend. Kjo ishte arsyeja që i dha shtysë nismës sonë për hapjen e akademisë. Për studentët zhvillohen kurse trajnimi me kohëzgjatje 3-mujore dhe më pas, në varësi të njohurive të tyre. Të gjithë ata që trajnohen paguhen me paga 250 euro. Asnjë prej tyre nuk paguan tarifë trajnimi. Pas përfundimit të trajnimit, secili prej tyre e ka punën e garantuar në kompaninë tonë”, vlerëson administratorja e kompanisë “DOT BALKANS”.

Sipërmarrje të tjera të shërbimit të teknologjisë së informacionit vlerësojnë se ky disporpocion mes kërkesës dhe ofertës është krijuar nga numri i pakët i të diplomuarve në IT, si nga universitetet shtetërore, edhe private. Universitetet shtetërore pohojnë se kanë rritur numrin e kuotave hyrëse dhe se mund të përballojnë edhe volume më të larta të kërkesës. Pedagogët pranojnë se rritja e numrit të studentëve, që diplomohen, është shoqëruar edhe me uljen e nivelit mesatar të tyre.

Shumica e kompanive vlerësojnë se sektori i IT-së nuk po vuan nga rritja e emigracionit të profesionistëve, siç po ndodh me profesionet e tjera. Standardet europiane të punës dhe pagat e larta janë faktorë që po ndikojnë më së miri për frenimin e emigracionit. Për të tjera, fenomeni po rrit vështirësitë për punësimin, në një kohë kur po kërkohen shumë punësime të reja.

Tendenca

Pas pandemisë dhe lockdown në këtë periudhë, në shumë shtete të botës, në 2021 ka një bum të përdorimit të teknologjive të reja informatike, si për aplikacionet e shitblerjeve online, të kontrollit shëndetësor në mënyrë informatike dhe të aplikacioneve për lojëra virtuale. Kjo ka rritur jashtëzakonisht kërkesën për developer (zhvillues) në mbarë botën, por edhe në Shqipëri

Rritet kërkesa për profesionistë në IT

Kompanitë më të mëdha të teknologjisë së informacionit në vend thonë se është rritur kërkesa për rekrutimin e profesionistëve në IT, e cila është ndikuar nga globalizimi i teknologjisë dhe pandemia.

Edlira Nikaj, administratore e kompanisë “DOT BALKANS”, pohon se aktualisht, në tregun shqiptar, është e njëjta kërkesë si për punonjës call center para 10 vitesh. “Vitet e fundit, kërkesat e kompanive të huaja për profesionin e zhvilluesit të software (software developer) janë dyfishuar, duke lehtësuar zhvilluesit me mundësinë e punësimit remote, pas gjendjes së krijuar nga pandemia.

Në raport me kërkesën, oferta e tregut është e ulët. Kjo na ka detyruar të ngremë akademinë tonë për trajnimin e profesionistëve të IT-së, sipas standardeve ndërkombëtare, që më pas punësohen automatikisht te kompania. Ndryshe nga çfarë ka ndodhur vite më parë, kur për punonjësit call center mjaftonte vetëm që të dinin një gjuhë të huaj, por këtë profesion kërkohen punonjës të kualifikuar”.

Aleksandër Risilia, administratori i kompanisë “Ritech Solutions”, thotë se kërkesa për punonjës të kualifikuar në sektorin e IT ka pasur një bum të madh, si pasojë e përparimit të madh të teknologjisë dhe pandemisë.

Erion Isufi, përfaqësuesi i “Landmark”, e krahason tregun e punës për profesionistët e IT-së me një “fushëbetejë” ku kompanitë përpiqen të tërheqin talentet “top tech”. “Kërkesa për ta është tejet e lartë, pasi po shtohet rendimenti i projekteve nga klientë ndërkombëtarë. Profesionistët shqiptarë janë në ‘radarin’ e tyre dhe sigurisht, edhe të kompanive vendase.

Gjithmonë kërkojnë më shumë punonjës, të cilët me talentin, përkushtimin dhe aftësitë do të përmirësojnë përvojën personale, por do të shërbejnë edhe si një aset i rëndësishëm për vendin e punës. Praktikisht, është rigjallëruar tregu i punës nga kompanitë e teknologjisë dhe informacionit dhe kjo është në dobi të profesionistëve të rinj, të cilët aspirojnë të mësojnë dhe të përftojnë përvojë në këtë industri”, pohon z. Isufi.

Arsyet e kërkesës së lartë 

Drejtuesit e kompanive kryesore të teknologjisë dhe informacionit pohojnë njëzëri se arsyet kryesore të rritjes së kërkesës janë globalizimi i teknologjisë dhe pandemia, e cila nxori në pah domosdoshmërinë për përdorimin e sistemeve të dixhitalizuara të biznesit.

“Zhvillimi i vazhdueshëm i teknologjisë dhe prania e dixhitalizimit tashmë në çdo fushë të jetës, janë faktorët thelbësorë që kanë ndikuar drejtpërdrejt, si në rritjen e kërkesës së të rinjve për të studiuar në degët e teknologjisë së informacionit dhe inxhinierisë kompjuterike, po ashtu edhe në kërkesën e tregut për profesionistë të kësaj fushe. Në Shqipëri, kjo tendencë ka ardhur në rritje, veçanërisht në pesë vitet e fundit, ku shumë kompani në fushën e konsulencës në IT janë themeluar e numërojnë jo pak punonjës”, nënvizon Albana Shkurta, administratore e kompanisë “Lufthansa Industry Solutions sh.p.k.”.

Edhe për administratorin e kompanisë “Ritech Solutions”, z. Aleksandër Risilia, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në ndryshimin e kërkesës për rekrutimin e punonjësve profesionistë janë avancimi dhe globalizimi i teknologjisë, ndërsa heqja e barrierave të kufijve mes shteteve ka vështirësuar rekrutimin e talenteve në vendet perëndimore, për shkak të konkurrencës së lartë. “Edhe situata e pandemisë krijoi presion transformimi dixhital për kompanitë e mëdha dhe të vogla dhe efekti po fillon të ndihet gjithmonë e më shumë në rritjen e kërkesës për punonjës në fushën e IT”.

Drejtuesi i kompanisë “Landmark”, Erion Isufi, thotë se prej fillimit të pandemisë, u rrit shumë kërkesa dhe vijon me ritme të larta, pasi të gjitha bizneset po mundohen të përshtaten në habitatin e ri, atë online. “Periudha e pazakontë e tregoi qartë se përditësimi është esencial dhe se bizneset duhet të bashkëveprojnë me teknologjinë, në mënyrë që të jenë përherë një hallkë e rëndësishme e tregut.

Pandemia na detyroi t’i besojmë mediumeve online dhe rrjedhimisht, kjo solli më shumë kërkesa për profesionistët që qëndrojnë pas ekranit dhe kujdesen të ofrojnë te klientët lehtësi në website-t e tyre. Tani, të gjithë duan të kenë një portal të thjeshtë, estetik dhe të kuruar, në mënyrë që klienti apo konsumatori i tyre të mund të ndërveprojë dhe të kryejë veprime të tjera online”.