Kërkesa për referendum, Këlliçi: Tregon demokraci brenda PD-së

Kreu i Forumit Rinor të PD, Belind Këlliçi e ka cilësuar akt demokratik kërkesën për referendum të anëtarësisë së këtij forumi për vendimin e kryedemokratiti Lulzim Basha për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar.

Është vendim i një pjese të anëtarëve të kryesisë së FRPD-së, është një nismë e anëtarëve të kryesisë. Nuk ka patur një mbledhje të kryesisë për të diskutuar dhe debatuar për këtë vendim. Kjo është një çështje e jona e brendshme, e cila do të marrë përgjigje statusore dhe do të marrë përgjigje zyrtare në ditët në vijim qoftë nga sekretari i përgjithshëm, qoftë nga kryetari i Këshillit Kombëtar. Forma më e mirë e një demokracie është mendimi ndryshe. Instrumenti më i mirë në demokraci është mendimi ndryshe, ndaj unë sot jam krenar që themelet e PD-së janë shumë të forta sepse prodhojnë diskutim, prodhojnë debat, platforma të ndryshme brenda njëri-tjetrit, të gjitha këto në kuadër të mbrojtjes së PD-së”, është shprehur Këlliçi.

Sipas tij në PD nuk ka përçarje, por liri për të shprehur mendimin ndryshe.

“Absolutisht jo përçarje, sigurisht ka pakënaqësi dhe emocione të përfshira, padiskutim që po, do ju gënjeja nëse do ju thoja ndryshe, por kjo çështje duhet trajtuar me shumë maturi”, është shprehur ai.

Kreu i Forumit Rinor thekson se askush nuk mund ta zhbëj kontributin e Berishës për PD dhe për Shqipërinë.

“Për ta anëtarësuar Shqipërinë në NATO, për të antarësuar Shqipërinë për të marrë statusin kandidat, për të bërë rrugën e Kombit, për të liberalizuar vizat, arriti këto të gjitha të cilat mbajën firmën e padiskutueshme të Profesor, Doktor Sali Berishës. Askush nuk e cenon dot kontributin dhe rrugëtimin e lavdishëm të PD-së krahë Berishës”, është shprehur ndër të tjera Këlliçi.

Sipas Këlliçit PD nuk duhet të humbas vëmendjen nga keqqeverisja e Partisë Socialiste për shkak të debateve të brendshme.