“Kemi kontaktuar me 25 shqiptarë në kamp, por morëm 5″/ Lleshaj nga Libani: Fëmijët atje janë të terrorizuar

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në një lidhje të drejtpërdrejt nga Libani me gazetaren Eni Vasili, tha se kampi Al-Hol është një kamp ferri, dhe se fëmijët aty janë me sy të shuar dhe pa shpresë.

Ata janë të terrorizuar dhe nën tutelë të frikshme nga ushtarakët. Lleshaj shtoi se nga burimet, në atë kamp janë rreth 50 shqiptarë, nga të cilët është kontaktuar me 25, por janë arritur të rikthehen në atdhe vetëm 5.

Përsa i përket fazës së dytë, Lleshaj tha se do të vijojë operacioni për të rikthyer shqiptarët e tjerë në Shqipëri.

Pyetje: Mund të na zbuloni diçka më tepër nga operacioni?

Lleshaj: Bëhet fjalë për një operacion të nisur para 1 viti. Janë disa shtete që kanë marrë pjesë në këtë operacion, Shqipëria, Libani, Siria. Një operacion i komplikuar, i gjatë që u frenua për shkak të pëndemisë. Janë përfshirë me qindra njerëz. Policia shqiptare dhe e këtyre vendeve që përmenda. Sot katër fëmijë dhe një grua janë shpëtuar nga ai kamp ferri.

Pyetje: Sa shqiptarë janë në atë kamp?

Lleshaj: Bëhet fjalë për 50 shqiptarë atje. Sipas burimeve tona kaq janë. Kemi kontaktuar me 25 prej tyre dhe kemi marrë 5.

Pyetje: E ëma e fëmijëve është në gjendje të vështirë ka dhe plagë. Nga se i ka marrë këto plagë?

Lleshaj: Nuk kemi informacion se nga vijnë plagët, por këto plagë janë arsyeja që e kemi riatdhesuar. Është një rast i veçantë dhe është trajtuar si i tillë.

Pyetje: Ky operacion i hap fazën tjetër, cila është ajo fazë?

Lleshaj: Faza e dytë është rikthimi i të tjerëve që janë kontaktuar fizikisht nga grupi ynë në terren. Pra 20 të tjerët. Ky grup i yni ka takuar fëmijët, ka folur dhe ka marrë deklaratat e familjeve të tyre. Në ditët e ardhshme presim finalizimin e fazës së dytë. Unë do ta lë të gjerë datën, të mos flasim për data fikse. Angazhimi ynë vijon. Jemi të motivuar sepse ka një motiv humanitar të madh. Duam t’i heqim këta fëmijë nga duart e terrorit. Këta e kanë vendin në atdheun e tyre.

Pyetje: Si është gjendja e fëmijëve në atë kamp?

Lleshaj: Ata janë në gjendje të trishtuar, me sy të shuar dhe pa shpresë. Nuk lëvizin sepse janë mësuar në tutelë të frikshme. Kanë pasur terror të madh psikologjik dhe fizik. Do kenë një trajtim të specializuar, shëndetësor dhe psikologjik. Do jetë një periudhë e rikthimit të tyre në shoqëri.

Pyetje: Për familjen Dumani, Rama tha se Eva Dumani është mirë, por informacionet janë të komplikuara, ç’do të thotë kjo?

Lleshaj: Ne kemi informacione të sakta për gjendjenn e saj, është mirë për kushtet e atij kampi. Por kampi është kamp kujetojnë familje të ish-ushtarëve të IS-is, dhe ata që janë aty brenda përpiqet që asnjë të mos dalë jashtë. Vështirësi paraqesin vetë banorët e kampit të cilët nuk lënë të tjerët të dalin sepse e konsiderojnë humbje. Unë nuk besoj që fëmijët bëjnë rezistencë për t’u kthyer. Të rritur janë të indoktrinuar të jetojnë aty në atë ferr. Kushtet ku jeton Eva janë të tilla që e bëjnë të komplikuar gjendjen.

Operacioni është ndër operacionet e rralla që është bërë për riatdhesim. Duhet të jemi koshient dhe sot jam i lumtur se katër jetë të shpëtuara janë shumë.

Pyetje: Çdo të ndodhë me personat e tjerë që nuk keni kontaktuar?

Lleshaj: Ne do përpiqemi të shkojmë tek të gjithë ata që mund të arrijmë.