KE hap thesin- I jep Kosovës mbi 11 milionë euro

Ministria e Financave në Kosovë, bëri me dije se ka pranuar nga Komisionit Evropian shumën prej 11,499,970.00 eurosh, si mbështetje buxhetore

Sipas Zyrës së Informimit pranë kësaj ministrie, kjo shumë është edhe shpërblim për punën e madhe që është bërë në vendosjen dhe mbajtjen e një stabiliteti ekonomik konstant në vend.

“Menaxhimin e suksesshëm të financave publike përmes implementimit me përpikëri të programit dhe strategjinë për përmirësimin e menaxhimit të financave publike si dhe në të njëjtën kohë duke e rritur transparencën buxhetore për të gjithë të interesuarit duke përfshirë edhe shoqërinë civile dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe ka implementuar me sukses Strategjinë për Reformën e Menaxhimit të Financave Publike të Kosovës 2016-2020 dhe Modernizimit të Administratës Publike”, thuhet në komunikatë.

Të gjitha këto detyra nga kjo ministri thonë se janë vlerësuar pozitivisht nga ana e Komisionit Evropian, ku është çmuar puna që është bërë edhe në ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal të vendit duke përfshirë edhe respektimin e rregullave fiskale të parapara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

“Për këto arsye sot shteti i Republikës së Kosovës në aspektin financiar qëndron më së miri që ka qëndruar ndonjëherë në të gjithë parametrat e tij”, përmbyllet komunikata për shtyp. /apel.media