Katër vende aplikojnë për të organizuar Kupën Botërore 2030

Argjentina, Kili, Uruguai dhe Paraguai kanë bërë aplikim zyrtar për të organizuar bashkërisht Kupën Botërore FIFA 2030.

Alejandro Dominguez, kreu i Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL), në një konferencë për media të mbajtur në Montevideo, kryeqytetin e Uruguait, tha se aplikimi në fjalë është bërë dhe shtoi se duan të realizojnë një “ëndërr për kontinentin tonë”.

Duke rikujtuar se Uruguai ka organizuar Kupën e parë Botërore të mbajtur në vitin 1930 dhe se e ka fituar turneun, Dominguez apeloi, “Ky turne do të mbushë 100 vjet vetëm një herë në historinë e tij. Kjo mundësi duhet të vlerësohet mirë dhe Kupa Botërore duhet të kthehet sërish në shtëpi”.

Pritet që në vitin 2024 të njoftohet vendi ose vendet që do të organizojnë Kupën e Botës FIFA 2030, e cila këtë vit mbahet në Katar dhe në vitin 2026 bashkërisht nga Kanadaja, Meksika dhe SHBA-ja.

Më parë, Spanja dhe Portugalia kanë aplikuar për të organizuar bashkërisht turneun 2030.